The Independent: Regjimii i Iranit seriozisht mund të bjerë, qe pse dhe çka vjen pastaj
Në pamje të paqarta të xhiruara me telefon, që thuhet se inçizuar në Iran, shihen njerëz duke qarë teksa çajnë mespërmes më shumë se një duzine trupash, të shtrirë në thasë mortorë në dysheme.
Thuhet se videoja është xhiruar në një morg të improvizuar në jug të Teheranit, edhe pse kjo nuk mund të verifikohet në mënyrë të pavarur. Ajo është shpërndarë në llogari iraniane në Telegram, të cilat po publikojnë pamjet e pakta që po dalin nga Irani, ku regjimi, duke u përpjekur me çdo kusht ta shtypë një kryengritje dyjavore, e ka mbyllur internetin dhe madje edhe linjat fikse të telefonisë.
Kjo vjen pas videove të tjera nga protestat, ku në sfond dëgjohet të shtënat e pandërprera me armë. Dëshmitë e dëshmitarëve okularë flasin për rrugë të mbuluara me gjak dhe për protestues që po verbohen qëllimisht.
Edhe televizioni shtetëror iranian ka transmetuar pamje të dhjetëra thasëve mortorë në zyrën e mjekësisë ligjore në Teheran, ndonëse ka pretenduar se të vdekurit ishin viktima të “terroristëve të armatosur”.
Republika Islamike, gjithnjë e më e brishtë, po reagon me dhunë teksa përballet me kërcënimin më serioz ekzistencial deri më tani.
Disa nga analistët iranianë më të respektuar besojnë se, për herë të parë, ekziston një mundësi reale që regjimi të bjerë.
Por bilanci tashmë është i tmerrshëm.
Protestues duke vallëzuar rreth një zjarri në një rrugë në Teheran
Organizata Iran Human Rights, me seli në Norvegji, tha të dielën se ka verifikuar vrasjen e 192 personave gjatë protestave, por shtoi se numri real i të vdekurve mund të jetë deri në 2,000.
Nëpër rrugë, protestuesit po kërkojnë hapur rrëzimin e sundimtarëve klerikë shtypës të vendit, duke brohoritur “Vdekje diktatorit” dhe, në disa raste, madje duke bërë thirrje për rikthimin e dinastisë mbretërore Pahlavi, e cila u rrëzua në revolucionin e vitit 1979 që solli në pushtet regjimin aktual.
Agjencia amerikane Human Rights Activists News Agency (Hrana) thotë se protestat tani janë përhapur në 185 qytete, në të gjitha 31 provincat e vendit.
Kjo nuk është hera e parë që Irani tronditet nga një lëvizje masive protestash. Pak më pak se katër vjet më parë, kryengritja “Grua, Jetë, Liri” shpërtheu pas vdekjes së një gruaje të re kurde iraniane, Mahsa Amini, e cila u arrestua nga policia represive e moralit për mosmbajtje të hixhabit.
Por kjo herë duket ndryshe, për shkak të dobësive unike me të cilat po përballen sundimtarët iranianë.
Së pari, protestat shpërthyen si reagim ndaj rritjes së madhe të çmimeve, teksa valuta vendore, riali, ra ndjeshëm, duke ushtruar presion mbi të gjitha shtresat e shoqërisë.
Thelbësisht, kjo vjen pas luftës shkatërruese 12-ditore mes Izraelit dhe Iranit vitin e kaluar. Forcat izraelite, e më pas edhe ato amerikane, bombarduan instalimet kryesore bërthamore të Iranit, infrastrukturën ushtarake dhe madje edhe shkencëtarë bërthamorë.
Në një moment, Irani mezi po arrinte të zëvendësonte udhëheqjen e tij ushtarake, pasi shefi i sapoemëruar i luftës u vra vetëm disa ditë pasi paraardhësi i tij ishte vrarë.
Irani u kundërpërgjigj, duke lëshuar sulme ndaj Izraelit dhe një baze ajrore amerikane në Katar.
Raketa të lëshuara nga Irani shihen në qiellin e natës mbi Jerusalem më 14 qershor 2025
Por e gjithë kjo nxori në pah dobësi të thella brenda regjimit. Suksesi i Izraelit dhe SHBA-së nënkuptonte rrjedhje masive të inteligjencës dhe koordinim të mundshëm nga brenda qarqeve më të ngushta të Gardës Revolucionare iraniane, ndoshta edhe pranë liderit suprem.
Kjo ndodh gjithashtu në një kohë kur Irani nuk mund të mbështetet më tek aleatët e tij rajonalë në Liban, Siri dhe Irak. Operacionet izraelite gjatë viteve të fundit kanë shkatërruar rëndë militantët e Hezbollahut të mbështetur nga Irani në Liban.
Kjo, nga ana tjetër, ndihmoi në rënien e aleatit të Iranit, presidentit sirian Bashar al-Assad, nga rebelë islamistë që tani janë afruar me SHBA-në.
Grupet proksi të Iranit në Irak kanë qenë çuditërisht të qeta, pavarësisht përshkallëzimit rajonal, edhe pse kjo mund të ndryshojë.
Burime pranë kufirit Iran-Irak më thanë se po qarkullonin raportime sipas të cilave qindra luftëtarë nga Forcat e Mobilizimit Popullor të Irakut po hynin në Iran për ta forcuar regjimin.
Qoftë e vërtetë apo jo, dhe pavarësisht numrit, udhëheqja iraniane ende duhet të përballet me protesta masive mbarëkombëtare, infrastrukturë ushtarake të dëmtuar, shqetësime për rrjedhje të brendshme të inteligjencës dhe rebelim, mbështetje rajonale të zvogëluar dhe mundësinë e sulmeve të tjera amerikane dhe izraelite.
Njerëz mblidhen në vendin ku u vra lideri i Hezbollahut, Hassan Nasrallah, nga sulmet ajrore izraelite më 27 shtator 2024, në lagjen Haret Hreik në jug të Bejrutit, Liban
Donald Trump thuhet se është informuar për opsione të mundshme të sulmeve ushtarake. Burime izraelite thonë se komandantët e lartë kanë zhvilluar konsultime të brendshme për sigurinë gjatë fundjavës dhe e kanë vendosur vendin në gjendje të lartë gatishmërie, për shkak të mundësisë së ndërhyrjes amerikane.
Irani ka premtuar se do të hakmerret ndaj bazave amerikane dhe Izraelit nëse sulmohet, por sa efektive do të ishte një përgjigje e tillë?
E gjithë kjo po ndodh në një moment kur Shtetet e Bashkuara kanë një president që e shijon ndërhyrjen.
Vetëm javën e kaluar, Uashingtoni ndërmori një operacion ushtarak tronditës dhe të paprecedentë në Venezuelë, gjatë të cilit forcat speciale amerikane kapën liderin autoritar të vendit, Nicolas Maduro. Trump më pas është zotuar se do ta “drejtojë” Venezuelën dhe, veçmas, të marrë Groenlandën, territor i një aleati të NATO-s.
Nuk është e paimagjinueshme që SHBA-ja të bombardojë armikun e saj të betuar, Iranin, në ndjekje të ndryshimit të regjimit.
Dhe kjo në fakt po i inkurajon protestuesit, tha Gissou Nia, një avokate iraniano-amerikane për të drejtat e njeriut që punon në Atlantic Council. Ajo tha se disa protestues madje po mbajnë pankarta me emrin e Trumpit.
“Ata mendojnë se në fund do t’ia vlejë, se nuk do të jenë vetëm në vuajtjet e tyre dhe se do të arrijnë ta rrëzojnë regjimin”, vazhdoi ajo, duke shtuar se iranianët janë “të gatshëm të rrezikojnë jetën për ta parë regjimin të bjerë”.
“Komuniteti ndërkombëtar me të vërtetë duhet ta dëgjojë këtë thirrje”, shtoi ajo.
Çfarë do të vijë më pas është e paqartë.
Reza Pahlavi, djali i Shahut të fundit të Iranit, që jeton në mërgim, jo vetëm që i ka inkurajuar njerëzit të vazhdojnë të dalin në rrugë, por në një video të postuar online të dielën ka thënë gjithashtu se po përgatitet të kthehet në atdhe.
Kjo ose është naivisht e parakohshme, ose një pozicionim i qëllimshëm. Por një gjë është e sigurt: regjimi po lufton për mbijetesë.