Tetë të vdekur e 17 të zhdukur nga tajfuni Bualoi në Vietnam
Tajfuni Bualoi e përfshiu bregdetin e Vietnamit të hënën, duke lënë të vdekur tetë persona e 17 të tjerë u zhdukën. Era e fortë dhe shiu dëmtuan shtëpi, shkaktuan ndërprerje të energjisë elektrike dhe vërshime në rrugë para se stuhia të dobësohej gjatë lëvizjes drejt Laosit fqinj.
Stuhia kishte lëvizur mbi pjesët veriore e qendrore të bregdetit para se të arrinte në territor tokësor të hënën herët, duke shkaktuar valë të larta deri në tetë metra, tha agjencia kombëtare e motit.
Shtatëmbëdhjetë peshkatarë u zhdukën, pasi valët e mëdha goditën dy barka peshkimi afër provincës Quang Tri, ndërsa një barke tjetër i humbi kontakti gjatë stuhisë, tha agjencia qeveritare për menaxhimin e katastrofave, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.
“Qëndrova zgjuar tërë natën nga frika se dera do të hiqej nga era e fortë” – tha Ho Van Quynh nga provinca Nghe An. Fqinjët e tij thanë se e kaluan natën duke bërë përpjekje për t’i mbrojtur shtëpitë e tyre, ndërsa furnizimi me rrymë u ndërpre.
“Kam qenë dëshmitar i shumë stuhive dhe kjo është njëra nga më të fortat” – tha 45-vjeçari Nguyen Tuan Vinh.
Era e fortë la të vdekur tetë njerëz dhe shtatë të tjerë pësuan lëndime në provincën Ninh Binh, raportoi Agjencia e Lajmeve e Vietnamit.
Një person vdiq nga uji i vërshimeve në qytetin Hue, ndërsa një tjetër e humbi jetën nga një dru që u rrëzua në provincën Thanh Hoa, tha agjencia për menaxhimin e katastrofave./Nacionale