Terminalet e “Starlink”-ut që përdoreshin nga Rusia në Ukrainë janë shkëputur, thotë Kievi - NACIONALE

Terminalet e “Starlink”-ut që përdoreshin nga Rusia në Ukrainë janë shkëputur, thotë Kievi

6 muaj më parë

nga NACIONALE

Ministria e Mbrojtjes e Ukrainës tha të enjten se terminalet e internetit satelitor të shërbimit “Starlink”, që shfrytëzoheshin nga Rusia në Ukrainë, janë ndërprerë, duke i penguar komunikimet e ushtrisë ruse.

Ministri i Mbrojtjes i Ukrainës, Mykhailo Fedorov, tha se kompania “SpaceX”, që e ka në pronësi “Starlink”-un, është duke punuar me Ukrainën për të përditësuar një “listë të bardhë” të terminaleve të miratuara dhe të verifikuara të “Starlink”-ut, ndërsa sistemet e pamiratuara ruse janë bllokuar, raporton televizioni CNN.

“Terminalet e Starlink-ut që janë shtuar në listën e bardhë janë duke funksionuar. Terminalet e rusëve tashmë janë bllokuar” – tha Fedorovi të enjten në një deklaratë. “Ne vazhdojmë që t’i verifikojmë terminalet e Starlink-ut. Grupi i parë i terminaleve që janë futur në listën e bardhë tashmë janë funksionale” – shtoi ai.

Një burim në Shtabin e Përgjithshëm të Forcave të Armatosura të Ukrainës pretendoi se “të gjithë Starlink-at rusë janë shkëputur” nga rrjeti përgjatë vijës së frontit deri të enjten në mbrëmje.

Për shkak të sanksioneve amerikane, shërbimi “Starlink” nuk mund të shitet në Rusi e as të përdoret nga ky shtet. Megjithatë, analistët dhe zyrtarët ukrainas kanë paralajmëruar se Rusia ka gjetur rrugë për ta shfrytëzuar sistemin për avantazhin e saj.

“Armiku në vijat e frontit nuk po ballafaqohet vetëm me një problem, por me një katastrofë. E tërë komanda dhe kontrolli i trupave ka kolapsuar. Operacionet sulmuese janë ndalur në shumë zona” – tha Serhii Beskrestnov, këshilltar i ministrit të Mbrojtjes.

Lajme të ngjashme