Tërmet në Siri, ndihet edhe në Jordani e Liban – raportohet për dhjetëra të lënduar
Një tërmet me fuqi prej 4,8 shkallësh e goditi qytetin Hama, në perëndim të Sirisë, të hënën vonë, ndërsa banorët në Siri, Jordani e Liban e ndien ndikimin. Dridhjet vazhduan edhe të martën në mëngjes.
Ministria e Shëndetësisë e Sirisë tha të martën se rreth 65 persona kanë pësuar lëndime të lehta dhe të mesme, përderisa ishin duke ikur nga paniku pas tërmetit, raporton agjencia “Reuters”.
Në Salamiya, qytezë rreth 30 kilometra në lindje të qytetit Hama, banorët dolën në rrugë në errësirë nga frika, tha Nasser Duyub, punëtor i sektorit publik që jeton atje.
“Djali im ishte duke fjetur, nuk di si e kapa dhe dola nga shtëpia” – i tha ai agjencisë “Reuters”.
Spitali kombëtar në Salamiya trajtoi rreth 67 raste të shokut, shtoi Ministria e Shëndetësisë.
Banorët thanë se kishin parë një ballkon duke u shembur dhe shërbimet mjekësore duke trajtuar njerëz që u kishte humbur vetëdija.
Agjencia e lajmeve SANA, duke e cituar drejtorin e këshillit të qytetit në Salamiya, Souhad Zaidan, raportoi për dëme të vogla, si mure të çara të ndërtesave./Nacionale