Tërmet i fuqishëm prej 6,9 shkallësh në Filipine, gati 70 të vdekur - NACIONALE

Tërmet i fuqishëm prej 6,9 shkallësh në Filipine, gati 70 të vdekur

11 muaj më parë

nga NACIONALE

Një tërmet i fuqishëm prej 6,9 shkallësh të Rihterit e goditi pjesën qendrore të Filipineve, duke lënë 69 të vdekur, tha të mërkurën një zyrtar për menaxhimin e katastrofave, përderisa Qeveria i mobilizoi agjencitë për të kërkuar të mbijetuar dhe për ta rikthyer furnizimin me rrymë dhe ujë.

Në qytetin Bogo, në pjesën veriore të provincës Cebu, e cila ndodhet afër epiqendrës së tërmetit që ndodhi pak para orës 22:00 të martën sipas kohës lokale, spitali është bërë “i stërngarkuar”, tha para gazetarëve zyrtari i Mbrojtjes Civile, Raffy Alejandro, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.

Numri prej 69 viktimash u mbështet në të dhënat nga zyra provinciale për menaxhimin e katastrofave në Cebu. Një zyrtar tjetër tha se mbi 150 njerëz kanë pësuar lëndime.

Presidenti i vendit, Ferdinand Marcos Jr., i siguroi të mbijetuarit për asistencë të shpejtë, duke thënë se sekretarët e kabinetit ishin në terren duke drejtuar operacione për lehtësimin e gjendjes, ndërsa u shprehu ngushëllime atyre që i kanë humbur njerëzit e afërm.

Cebu, njëri nga destinacionet më të popullarizuara për turistët në Filipine, është vendbanim i 3,4 milionë njerëzve. Pavarësisht dëmit, Aeroporti Ndërkombëtar “Mactan-Cebu”, i dyti më i ngarkuari në vend, e vazhdoi operimin.

Në qytezën Pilar, banori i quajtur Archel Coraza tha se shumica e familjes së tij ishte duke fjetur, kur shtëpia e tyre filloi të dridhej fort.

“I zgjova dhe të gjithë dolëm me ngut në rrugë” – tha filipinasi që jeton afër vijës bregdetare. Ai tha se pa ulje të nivelit të ujit në det pas tërmetit.

Mediat lokale publikuan video të njerëzve duke dalë me nxitim nga shtëpitë e tyre, përderisa toka dridhej e ndërtesat shembeshin, përfshirë një kishë që ishte më shumë se 100 vjet e vjetër./Nacionale

Lajme të ngjashme