Tërmet i fuqishëm prej 6,7 shkallësh në Filipine - NACIONALE

Tërmet i fuqishëm prej 6,7 shkallësh në Filipine

2 vjet më parë

nga NACIONALE

Një tërmet i fuqishëm prej 6,7 shkallësh e goditi të premten rajonin jugor të Filipineve, Mindanao, tha Qendra Hulumtuese Gjermane e Gjeoshkencave. Përderisa nuk pati raportime të menjëhershme për viktima, autoritetet paralajmëruan për dëme.

Dridhja ndodhi në terren ujor, afër qytetit General Santos, në thellësi prej 60 kilometrash, tha Qendra Hulumtuese Gjermane e Gjeoshkencave, raporton agjencia “Reuters”.

Agjencia Sizmologjike e Filipineve, PHIVOLCS, dhe Qendra e Paqësorit për Paralajmërime për Cunami thanë se nuk pritet që të ketë cunami pas këtij tërmeti.

Amor Mio, komandant i policisë në qytetin Koronadal, afër epiqendrës së tërmetit, tha se nuk ka raportime për viktima, por zyrtarët po kontrollojnë një qendër tregtare, për të cilën është raportuar se ka pësuar dëme.

“Punëtorët u urdhëruan që të evakuoheshin për sigurinë e tyre. Sipas policisë në zonë, ka dëm të gjerë, por ne ende nuk kemi mundur që ta përcaktojmë shkallën e dëmit”- shtoi zyrtari policor.

Drejtori i agjencisë PHIVOLCS, Teresito Bacalcol, tha se intensiteti i tërmetit ishte shkatërrues, prandaj priten dëme.

Sipas tij, dridhja zgjati disa sekonda, duke i këshilluar banorët që të jenë vigjilentë për dridhje të tjera me fuqi deri në 6,2 shkallë.

Lajme të ngjashme