Tërmet i fuqishëm në Meksikë, goditen spitalet e rrugët
Një tërmet i fuqishëm e drodhi pjesën jugore të Meksikës të premten, duke dëmtuar rrugë e spitale dhe duke e penguar për një kohë të shkurtër konferencën e parë për shtyp të presidents Claudia Sheinbaum në vitin e ri.
Mediat lokale raportuan se një burrë 67-vjeçar vdiq përderisa po zbriste shkallëve në Mexico City, pasi po mundohej të largohej nga banesa, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.
Në video të publikuara në internet shihet monumenti “Engjëlli i Pavarësisë” duke u lëkundur nga njëra anë në tjetrën në momentin e tërmetit.
Alarmi sizmik ndikoi që turma të njerëzve të dilnin rrugëve, shumë prej të cilëve kishin vendosur në trup vetëm peshqirë ose ishin të veshur në pizhame apo duke i mbajtur kafshët shtëpiake të frikësuara.
The "The Angel of Independence" in Mexico City, shaking during the earlier M6.5 earthquake that hit Guerrero...pic.twitter.com/ZebkiKlQnu
— Volcaholic 🌋 (@volcaholic1) January 2, 2026
Dridhja me fuqi prej 6,5 shkallësh ndodhi afër bregdetit meksikan në Oqeanin Paqësor, në shtetin Guerrero, me thellësi prej 35 kilometrash nën sipërfaqen e tokës, sipas Vëzhguesit Gjeologjik të ShBA-së. Eipqendra e tërmetit ishte rreth 180 milje larg kryeqytetit Mexico City.
Deri në mesditë, shërbimi sizmologjik meksikan regjistroi 420 dridhje të tjera, më e fuqishmja prej të cilave ishte 4,7 shkallë.
Autoritetet raportuan për rrëshqitje dheu mbi autostrada, rrjedhje gazi e dëme nëpër shtëpi, ndërtesa publike e spitale në pjesë të ndryshme të shtetit Guerrero. Nuk pati raportime të menjëhershme për njerëz që e kishin humbur jetën drejtpërdrejt nga tërmeti.