Tërmet i fuqishëm në kryeqytetin e Kolumbisë, vdes një grua
Një tërmet i fuqishëm prej 6,3 shkallësh e goditi të enjten kryeqytetin e Kolumbisë, Bogota, sipas Vëzhguesit Gjeologjik të ShBA-së, duke ndikuar që njerëzit e frikësuar të dilnin nga ndërtesat. Një grua u rrëzua për vdekje.
Nuk pati raportime të menjëhershme për dëme të mëdha nga dridhja, për të cilën shërbimi gjeologjik kombëtar i Kolumbisë tha se e kishte fuqinë e 6,1 shkallëve, raporton agjencia “Reuters”.
“Ishte i fuqishëm dhe zgjati për një kohë të gjatë”- tha Adrian Alarcon, 43 vjeç, i cili punon afër distriktit të ngarkuar të qytetit, “Park 93”.
“Më bën të ndihem i brishtë. Jeta ndryshon për një sekondë. S’mund të bësh asgjë, vetëm të vraposh për ta shpëtuar jetën”- shtoi ai.
Tragjedi pati në juglindje të kryeqytetit, ku një grua u rrëzua për vdekje nga dritarja gjatë tërmetit, sipas kryetares së qytetit, Claudia Lopez.
Kongresi i Kolumbisë raportoi për dëme në dhomën e përfaqësuesve, por thuhet se askush nuk është lënduar.
Agjencia kolumbiane për mbrojtje civile theksoi se banorët janë evakuuar nga e tërë komuna Calvario, në juglindje të kryeqytetit. Dritaret në atë zonë janë dëmtuar nga dridhjet.
Tërmeti fillestar u pasua me disa dridhje të tjera disa minuta më vonë, ndërsa njerëzit dolën rrugëve të qytetit. Shërbimi gjeologjik kombëtar i Kolumbisë tha se dridhja e dytë e pati fuqinë e 5,6 shkallëve, ndërsa dridhja e tretë të 4,8 shkallëve.