Tensionet me Venezuelën: ShBA-ja do ta dislokojë aeroplanmbajtësen “Gerald Ford” në Amerikën Latine
Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, e përshkallëzoi në nivel dramatik praninë ushtarake në Karaibe të premten duke e dislokuar grupin me aeroplanmbajtësen “Gerlad Ford” në Amerikën Latine, shfaqje e forcës që e përfaqëson lëvizjen më të fortë të Uashingtonit deri më tani në atë rajon.
“Prania e fuqizuar e forcës së ShBA-së në Komandën Jugore do ta fuqizojë kapacitetin e ShBA-së për të zbuluar, vëzhguar dhe penguar aktorë dhe aktivitete dashakeqe që i komprometojnë sigurinë dhe prosperitetin e atdheut të Shteteve të Bashkuara dhe sigurinë tonë në Hemisferën Perëndimore” – shkroi në rrjetin X zëdhënësi i Pentagonit, Sean Parnell.
Ai nuk saktësoi se kur do të vendoset në rajon aeroplanmbajtësja, por deri para pak ditëve, ajo ishte duke lundruar nëpër Ngushticën e Gjibraltarit dhe në Evropë, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.
Dislokimi i luftanijes është pjesë e grumbullimit ushtarak të Trumpit në Karaibe, ku përfshihen tetë luftanije shtesë, një nëndetëse bërthamore dhe një aeroplan luftarak i tipit F-35. Këto lëvizje pritet ta shtojnë shqetësimin në rajon për synimin e administratës së Trumpit.
Ushtria amerikane ka kryer 10 sulme ndaj barkave të dyshimta me drogë, kryesisht në Karaibe, nga fillimi i shtatorit, duke vrarë rreth 40 njerëz. Edhe pse Pentagoni nuk ka dhënë shumë informata, ka bërë të ditur se disa prej tyre ishin venezuelas.
Presidenti i Venezuelës, Nicolas Maduro, në mënyrë të përsëritur ka pretenduar se Shtetet e Bashkuara po shpresojnë që ta rrëzojnë atë nga pushteti.
Uashingtoni në gusht e dyfishoi vlerën e shpërblimit për ata që ofrojnë të dhëna që do të çonin në arrestimin e Maduros, duke e çuar në 50 milionë dollarë dhe duke e akuzuar presidentin venezuelas për lidhje me trafikimin e drogës dhe grupet kriminale. Maduroja i ka mohuar akuzat./Nacionale