Tensione për Gazën në Itali, ndalohet protesta pro-palestineze e 7 tetorit në Bolonjë - NACIONALE

Tensione për Gazën në Itali, ndalohet protesta pro-palestineze e 7 tetorit në Bolonjë

11 muaj më parë

nga NACIONALE

Autoritetet në qytetin verior italian, Bolonjë, e kanë ndaluar mbajtjen e një proteste pro-palestineze që ishte planifikuar për të martën, duke e përmendur si arsye rrezikun për trazira, pas ditëve me protesta e përleshje me policinë në pjesë të ndryshme të vendit, tha një përfaqësues lokal i Ministrisë së Brendshme.

Grupi “Giovani Palestinesi Italia” (“Rinia Palestineze”) kishte planifikuar protesta në Bolonjë dhe Torino për ta shënuar dyvjetorin e luftës mes Izraelit e Hamasit.

“Demonstrata absolutisht do të ndalohet” – iu tha gazetarëve Enrico Ricci, prefekt lokal në Bolonjë, kur autoritetet locale kanë frikë për përleshje të mundshme, pasi në Romë shpërtheu dhuna në fundjavë, raporton agjencia e lajmeve "Reuters".

Grupi “Giovani Palestinesi” konfirmoi në rrjetin “Instagram” se planifikon që ta mbajë tubimin pavarësisht ndalimit nga autoritetet.

Ambasadori i Izraelit në Itali, Jonathan Peled, kishte protestuar kundër nismave “që synojnë ta madhërojnë masakrën e 7 tetorit dhe me sukses punoi me autoritetet italiane për ta anuluar ngjarjen” – tha në rrjetin X Ministria e Jashtme e Izraelit.

Qindra mijëra njerëz mashuan nëpër pjesën qendrore të Romës të shtunën për ditën e katërt të protestave në Itali që nga koha kur Izraeli pengoi një flotë ndërkombëtare të anijeve që po mundoheshin të dërgonin ndihma në Gaza dhe i arrestoi aktivistët që po lundronin me to.

Komuniteti hebraik në Milano ka zgjedhur një organizim të profilit të ulët për ta shënuar dyvjetorin e sulmit të Hamasit në jug të Izraelit.

“Ne do të jemi në një shesh të qytetit, të mbrojtur nga forcat e rendit. Do të takohemi mes vete, por për arsye të rendit publik, policia na ka ndaluar që ta tregojmë lokacionin” – tha Davide Romano, drejtor i Muzeut “Ura Hebraike”, sipas citimit nga gazeta “La Repubblica”./Nacionale

Lajme të ngjashme