Të plagosurit e Gazës para vendimit të vështirë: Humb një gjymtyrë apo rrezikoje jetën? - NACIONALE

Të plagosurit e Gazës para vendimit të vështirë: Humb një gjymtyrë apo rrezikoje jetën?

2 vjet më parë

nga NACIONALE

Mjekët i dhanë Shaimaa Nabahin-it një zgjedhje të pamundshme: humbe këmbën e majtë ose rreziko që të vdesësh.

22-vjeçarja kishte qenë në spital në Gaza për rreth një javë, pasi kyçi i këmbës i ishte copëtuar pjesërisht nga një sulm ajror izraelit, kur mjekët i thanë asaj se po vuante nga helmimi i gjakut. Shaimaa zgjodhi që t’i rriste gjasat për mbijetesë dhe u pajtua që t’i amputohej këmba 15 centimetra nën gju, raporton agjencia “Associated Press”.

Ky vendim ia përmbysi jetën studentes ambicioze, siç ua bëri shumë të tjerëve në mesin e mbi 54 mijë e 500 të plagosurve në luftë, të cilët janë ballafaquar me zgjedhje të ngjashme të zorshme.

“Tërë jeta ime ka ndryshuar”- tha Shaimaa, duke folur nga shtrati i saj në spitalin “Martirët e Al-Aqsas”, që ndodhet në qytezën qendrore, Deir al-Balah. “Nëse dua të bëj një hap ose të shkoj kudo, kam nevojë për ndihmë”- shtoi palestinezja.

Organizata Botërore e Shëndetësisë dhe Ministria e Shëndetësisë në Gaza, që menaxhohet nga Hamasi, thonë se amputimet janë bërë të zakonshme gjatë luftës Izrael – Hamas, por nuk mund të ofronin shifra të saktësuara. Në spitalin në Deir al-Balah, dhjetëra pacientë që i janë nënshtruar rishtazi amputimit ndodhen në faza të ndryshme të trajtimit dhe shërimit.

Ekspertët besojnë se në disa raste, gjymtyrët do të mund të shpëtoheshin me trajtimin e duhur. Megjithatë, pas disa javëve me sulme intensive ajrore e ofensivë tokësore nga Izraeli, vetëm nëntë nga 36 spitalet e Gazës janë ende duke funksionuar. Ato janë shumë të stërngarkuara, ofrojnë trajtim të kufizuar dhe u mungojnë pajisjet themelore për të kryer operacione. Shumë të plagosur nuk mund të arrijnë në spitalet që kanë mbetur në funksion, të kufizuar nga bombardimet izraelite e luftimet tokësore.

Sean Casey, zyrtar i OBSh-së që rishtazi vizitoi disa spitale në Gaza, tha se mungesa akute e kirurgëve vaskularë – reaguesit e parë në rastet e lëndimeve të traumës dhe më të përshtatshmit për të shpëtuar gjymtyrë – po i shton gjasat për amputime.

Megjithatë, në shumë raste, sipas tij, natyra e ashpër e lëndimeve nënkupton që disa gjymtyrë nuk mund të shpëtohen dhe duhet të hiqen sa më shpejt që është e mundshme.

“Njerëzit mund të vdesin nga infeksionet që i kanë për shkak se gjymtyrët e tyre janë të infektuara. Ne pamë pacientë që ishin të infektuar”- tha më tej zyrtari i OBSh-së.

Edhe para luftës, personat me amputime në Gaza kishin vështirësi për t’u furnizuar me proteza që do t’u ndihmonin për t’iu kthyer jetës aktive.

Ata që po bëhen pjesë e këtij grup tash ballafaqohen me kushte pothuajse të pamundshme. Rreth 85 për qind e popullsisë prej 2,3 milionësh tashmë është zhvendosur, të dyndur në tenda, në shkolla të shndërruara në strehimore ose në shtëpi të të afërmve. Uji, ushqimi dhe furnizimet e tjera elementare janë të pakta.

Përktheu: Nacionale/Nasuf Abdyli

Lajme të ngjashme