“Të papranueshme”: Hungaria e thërret ambasadoren gjermane pas kritikave në fjalim - NACIONALE

“Të papranueshme”: Hungaria e thërret ambasadoren gjermane pas kritikave në fjalim

7 muaj më parë

nga NACIONALE

Ministri i Jashtëm i Hungarisë, Peter Szijjarto, të enjten e thirri në takim ambasadoren e Gjermanisë në Budapest, Julia Gross, për t’u ankuar rreth një fjalimi në të cilin ajo iu bëri thirrje figurave publike hungareze që të flisnin publikisht kundër veprimeve për të cilat ajo tha se po e dëmtonin besimin aleatëve të Hungarisë në NATO dhe BE.

“Hungaria është në një rrugë që po e largon atë nga miqtë e saj” – tha ambasadorja gjermane para një audience të diplomatëve, organizatave joqeveritare dhe zyrtarëve hungarezë, në një fjalim kritik në mënyrë të pazakonshme për ta shënuar Ditën e Unitetit Gjerman të mërkurën, raporton agjencia “Reuters”.

Kryediplomati hungarez tha se komentet e ambasadores gjermane ishin “të papranueshme”.

“Ambasadorja e Gjermanisë në Budapest seriozisht ndërhyri në çështjet e brendshme të Hungarisë me fjalimin e saj dje në një mënyrë që e cenon sovranitetin e Hungarisë” – shkroi Szijjarto në llogarinë e tij në rrjetin “Facebook”.

Zyrtarë të lartë qeveritarë nuk morën pjesë në organizimin e së mërkurës, ku vitin e kaluar kishte folur Szijjarto. Qeveria hungareze nuk iu përgjigj menjëherë një kërkese për koment për mungesën e saj.

Qeveria nacionaliste e kryeministrit Viktor Orban për një kohë të gjatë ka pasur përplasje me aleatët perëndimorë të Hungarisë për një varg çështjesh, përfshirë të drejtat e njeriut, lirinë e mediave dhe marrëdhëniet relativisht të mira të Budapestit me Moskën.

Ambasadorja gjermane tha se një varg veprimesh e kishin dëmtuar besueshmërinë e Hungarisë, përfshirë atë që Orbani e përshkruan si mision për të sjellë paqe në Ukrainë, ku u përfshi një takim i tij me presidentin rus, Vladimir Putin, në korrik të këtij viti, pa përkrahjen e shteteve të tjera të Bashkimit Evropian./Nacionale

Lajme të ngjashme