Të paktën pesë të vrarë nga përleshjet mes hindusve e myslimanëve në Indi - NACIONALE

Të paktën pesë të vrarë nga përleshjet mes hindusve e myslimanëve në Indi

2 vjet më parë

nga NACIONALE

Së paku pesë persona, përfshirë dy pjesëtarë të personelit të policisë, u vranë nga përleshjet mes hindusve dhe myslimanëve, që shpërthyen të hënën rreth 50 kilometra në jug të kryeqytetit Neë Delhi, tha policia indiane.

Dhuna shpërtheu pas kalimit të një kortezhi religjioz hindus nëpër rajonin me shumicë myslimane, Nuh, në shtetin Haryana, thanë zyrtarët indianë. Në mbrëmje, dhuna ishte përhapur në Gurugramin fqinj, ku një xhamie iu vu flaka, duke e vrarë hoxhën dhe duke lënduar një person tjetër, raporton agjencia “Reuters”.

Zyrtarët në administratën lokale në Nuh thanë se ishin duke e hetuar shkakun e përleshjes. Përfaqësues të qeverive lokale në Nuh dhe Gurugram u takuan me përfaqësues të komuniteteve hinduse e myslimane për t’u bërë thirrje për qetësi.

“Kortezhi synohej që të lëvizte nga një tempull te një tjetër, por përleshjet shpërthyen mes dy grupeve gjatë rrugës, të cilat rezultuan në vdekjen e katër personave”- tha Krishan Kumar, zëdhënës i policisë në Nuh.

Ai tha se dy nga të vdekurit ishin anëtarë të rojës vendëse, forcë vullnetare që e ndihmon policinë për t’i kontrolluar trazirat civile.

60 persona të tjerë, përfshirë 10 pjesëtarë të personelit të policisë, u lënduan gjatë përleshjeve, thanë zyrtarët lokalë qeveritarë.

Urdhra ndalues tashmë janë lëshuar në Gurugram, pasi disa veturave iu vu flaka të hënën në mbrëmje, ndërsa shkollat dhe kolegjet janë udhëzuar që të qëndrojnë të mbyllura të martën.

Lajme të ngjashme