Të paktën 23 të vdekur e dhjetëra të zhdukur nga rrëshqitja e dheut në Indi
Së paku 23 persona besohet se kanë vdekur e dhjetëra të tjerë janë zhdukur, pasi reshjet e dendura të shiut shkaktuan një varg rrëshqitjesh të dheut në Kerala të Indisë. Operacionet e shpëtimit po pengohen nga shembja e një ure të rëndësishme.
23 njerëz e humbën jetën e mbi 70 të tjerë u lënduan, tha ministrja rajonale e Shëndetësisë, Veena George, pasi rrëshqitja masive e dheut kaploi zona kodrinore në jug të Indisë, duke shtypur qindra shtëpi me baltë, raporton gazeta “The Guardian”.
Një fëmijë 1-vjeçar ishte në mesin e të vdekurve, sipas autoriteteve lokale. Shumë të tjerë ishin ende të zhdukur dhe kishte frikë se ishin marrë me vete nga uji me baltë e me lëvizje të shpejtë.
Rrëshqitja e dheut ndodhi në orët e hershme të mëngjesit, kur njerëzit ishin duke fjetur në shtëpitë e tyre.
Ushtrisë iu kërkua që të ndërtonte një mbikalim të përkohshëm, pasi një urë në distrikt, që e lidhte zonën e prekur me qytezën më të afërt, Chooralmala, u shkatërrua, tha ministri i Pyjeve, A. K. Saseendran.
“Gjendja është serioze. Qeveria i ka shtyrë të gjitha agjencitë në shpëtim” – shtoi ai.
Rashid Padikkalparamban, banor i përfshirë në përpjekjet për shpëtim, tha se në zonë kishin ndodhur të paktën tri rrëshqitje dheu rreth mesnatës.
“Shumë njerëz që ishin duke punuar në prona ose duke qëndruar në tenda të improvizuara brenda ka frikë se janë ngujuar ose janë zhdukur” – tha ky banor.
Ushtria dhe forcat ajrore u mobilizuan për të ofruar ndihmë në përpjekjet për shpëtim, por udhëheqësit lokalë të fshatrave thanë se askush nuk ka mundur të evakuohet për shkak të motit të lig dhe terrenit të vështirë deri në zonën e prekur.