Të paktën 13 të vdekur nga vërshimet në Spanjë - NACIONALE

Të paktën 13 të vdekur nga vërshimet në Spanjë

1 vit më parë

nga NACIONALE

Së paku 13 njerëz kanë vdekur nga vërshimet që e kanë përfshirë pjesën juglindore të Spanjës, raportoi të mërkurën televizioni shtetëror, TVE, duke e cituar policinë.

Disa orë më parë, udhëheqësi i Valencias tha para gazetarëve se një numër i pasaktësuar i kufomave ishin gjetur, por nuk dha një shifër “për shkak të respektit për familjet”, raporton agjencia “Reuters”.

Reshjet e dendura të shiut, të shkaktuara nga një front i ftohtë që po lëviz mbi pjesët jugore dhe lindore të vendit, shkaktuan vërshim të rrugëve e qytezave të martën, duke i nxitur autoritetet në zonat më të prekura që t’i këshillonin qytetarët për të qëndruar në shtëpi dhe për t’i shmangur të gjitha udhëtimet që nuk janë të domosdoshme.

Zyrtarët thonë se gjashtë persona janë zhdukur në Letur, vendbanim me më pak se një mijë banorë, që shtrihet në provincën lindore, Albacete.

Në pamje të publikuara në rrjete sociale, uji i vërshimeve shihet duke shkaktuar kaos, duke rrëzuar ura e duke tërhequr vetura nëpër rrugë. Në video të tjera dukej se shfaqeshin njerëz të hipur në drurë për të shpëtuar nga uji.

Stacione televizive e radio kanë raportuar se kanë pranuar qindra telefonata për ndihmë nga njerëz të ngujuar në zona të vërshuara ose që ishin në kërkim të të dashurve të tyre, pasi shërbimet emergjente po kanë vështirësi për të arritur në disa zona.

Punëtorët e shërbimeve emergjente po përdorin dronë për t’i kërkuar të zhdukurit në Letur, tha zyrtarja Milagros Tolon. “Prioritet është që të gjenden këta njerëz” – tha ajo.

Autoritetet lokale në Valencia thanë se mësimi në të gjitha shkollat dhe të gjitha organizimet sportive janë pezulluar për të mërkurën, ndërsa parqet do të jenë të mbyllura.

Lajme të ngjashme