Takimi i Bordit të Paqes: Trumpi planifikon të njoftojë plan miliardësh për rindërtimin e Gazës - NACIONALE

Takimi i Bordit të Paqes: Trumpi planifikon të njoftojë plan miliardësh për rindërtimin e Gazës

3 javë më parë

nga NACIONALE

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, do të njoftojë një plan multimiliardësh për rindërtimin e Gazës dhe do të japë hollësi rreth planeve për një forcë të stabilizimit të autorizuar nga OKB-ja për enklavën palestineze në takimin e parë formal të Bordit të Paqes javën e ardhshme, thanë të enjten dy zyrtarë të lartë amerikanë.

Delegacione nga të paktën 20 shtete, përfshirë shumë krerë vendesh, pritet të marrin pjesë në takimin që do të mbahet në Uashington më 19 shkurt dhe që do të drejtohet nga presidenti amerikan, i thanë zyrtarët agjencisë së lajmeve “Reuters” në kushte anonimiteti.

Hollësitë e planeve të Trumpit për takimin e parë të Bordit të Paqes për Gazën nuk janë raportuar më parë.

Trumpi nënshkroi dokumente në Davos të Zvicrës më 23 janar me të cilat u themelua Bordi i paqes. Themelimi i këtij bordi u mbështet me një rezolutë të Këshillit të Sigurimit të OKB-së si pjesë e planit të Trumpit për Gazën.

Përderisa fuqitë rajonale të Lindjes së Mesme, përfshirë Turqinë, Egjiptin, Arabinë Saudite e Katarin, si dhe disa vende të tjera si Indonezia, janë bërë pjesë e bordit, fuqitë globale dhe aleatët tradicionalë perëndimorë të ShBA-së kanë qenë më të rezervuar.

Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, tha të mërkurën gjatë një vizite në Uashington se vendi i tij është bërë pjesë e Bordit të Paqes.

Trumpi ka nxitur shqetësime se Bordi i Paqes mund të mundohet që të zgjidhë konflikte të tjera në botë dhe të garojë me Kombet e Bashkuara. Zyrtarët amerikanë thanë se takimi i javës së ardhshme do të përqendrohet vetëm rreth Gazës./Nacionale

Lajme të ngjashme