Takim për Gazën të hënën në Stamboll, në kohën e shqetësimeve për armëpushimin
Ministrat e jashtëm të disa vendeve me shumicë myslimane do të takohen të hënën në Stamboll për të diskutuar rreth armëpushimit në Gaza dhe për hapat e ardhshëm atje, tha të premten kryediplomati turk, Hakan Fidan, duke e shprehur shqetësimin për atë nëse armëpushimi do të vazhdojë.
Duke folur në një konferencë për gazetarë në Ankara, Fidan tha se në këtë takim do të marrin pjesë ministra të jashtëm të shteteve që ishin përfaqësuar në një mbledhje me presidentin amerikan, Donald Trump, në Nju-Jork në shtator.
Në atë takim, ku ishte diskutuar për situatën në Gaza, kishin marrë pjesë përfaqësues të Turqisë, Katarit, Arabisë Saudite, Egjiptit, Emirateve të Bashkuara Arabe, Jordanisë, Pakistanit dhe Indonezisë.
“Temat që janë duke u diskutuar tani për tani janë se si të ecet tutje në fazën e dytë, forca e stabilitetit” – tha ministri turk, raporton agjencia e lajmeve "Reuters".
Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, javën e kaluar dha shenjë se do të kundërshtonte çfarëdo roli për forcat turke të sigurisë në Rripin e Gazës si pjesë e një misioni për vëzhgimin e armëpushimit të mbështetur nga ShBA-ja me grupin palestinez, Hamas.