Tajlanda e refuzon ndërmjetësimin ndërkombëtar për përfundimin e luftimeve me Kamboxhian - NACIONALE

Tajlanda e refuzon ndërmjetësimin ndërkombëtar për përfundimin e luftimeve me Kamboxhian

1 vit më parë

nga NACIONALE

Tajlanda i ka refuzuar përpjekjet për ndërmjetësim nga vende të treta për t’i dhënë fund një konflikti që po vazhdon me Kamboxhian, duke këmbëngulur që vendi fqinj t’i ndalë sulmet dhe ta zgjidhë situatën vetëm përmes bisedimeve dypalëshe, tha të premten Ministria e Jashtme në Bangkok.

Tensionet e larta kufitare mes Tajlandës dhe Kamboxhës eskaluan në armiqësi të hapur në shumë lokacione përgjatë kufirit, ku pati shkëmbim të zjarrit të artilerisë në ditën e dytë të konfliktit, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.

Të paktën 16 njerëz, shumica prej tyre civilë tajlandezë, kanë vdekur deri më tani në luftimet më të ashpra mes dy fqinjëve të Azisë Juglindore në më shumë se një dekadë.

Shtetet e Bashkuara, Kina dhe Malajzia, e cila tani për tani e udhëheq bllokun rajonal ASEAN, kanë bërë ofertë për ta lehtësuar dialogun, por Tajlanda është duke kërkuar një zgjidhje dypalëshe për konfliktin, i tha agjencisë “Reuters” zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme të këtij shteti, Nikorndej Balankura.

“Nuk mendoj se kemi nevojë për ndonjë ndërmjetësim nga një shtet i tretë akoma” – tha në një intervistë zëdhënësi tajlandez.

“Ne qëndrojmë në pozicionin tonë se mekanizmi dypalësh është zgjidhja më e mirë, ky është një ballafaqim mes dy shteteve” – shtoi ai, duke thënë se pala kamboxhiane duhet ta ndalë e para dhunën përgjatë kufirit. “Dyert tona janë ende të hapura” – tha zëdhënësi Balankura.

Qeveria e Kamboxhias nuk iu përgjigj menjëherë një kërkese për koment. Kryeministri i saj, Hun Manet, kërkoi të enjten nga Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara që të thërrasë një takim për këtë çështje, duke e dënuar atë që e quajti “agresion ushtarak të paprovokuar e të paramenduar” nga Tajlanda.

Këshilli i Sigurimit ka thënë se të premten do të mbajë një takim me dyer të mbyllura për të diskutuar rreth konfliktit.

Kryeministri i Malajzisë, Anwar Ibrahim, vendi i të cilit tani për tani e udhëheq bllokun ASEAN me dhjetë shtete, pjesë e të cilit janë edhe Tajlanda e Kamboxhia, tha të enjten se kishte biseduar me udhëheqësit e të dyja vendeve dhe u kishte bërë thirrje atyre që të gjenin një zgjidhje paqësore./Nacionale

Lajme të ngjashme