Tajfuni “Yagi” shkakton dhjetëra të vdekur e shumë dëme në Vietnam - NACIONALE

Tajfuni “Yagi” shkakton dhjetëra të vdekur e shumë dëme në Vietnam

2 vjet më parë

nga NACIONALE

Tajfuni “Yagi”, stuhia më e fuqishme në Azi deri më tani këtë vit, ka shkaktuar dhjetëra viktima në pjesën veriore të Vietnamit dhe dëme të gjera, përderisa lëvizi drejt perëndimit, sipas vlerësimeve preliminare qeveritare të hënën, ndërsa agjencia e motit paralajmëroi më shumë vërshime e rrëshqitje dheu.

Tridhjetë e pesë persona kanë vdekur dhe 24 të tjerë janë zhdukur, kryesisht për shkak të rrëshqitjes së dheut dhe vërshimeve të shkaktuara nga tajfuni, tha agjencia për menaxhimin e fatkeqësive në Vietnam, raporton agjencia “Reuters”.

Tajfuni arriti në territor tokësor të shtunën në bregdetin verilindor të Vietnamit, ku zhvillohen shumë operacione prodhimi nga kompani vendëse e të huaja, dhe u dobësua në vlerësim, në depresion tropikal, të dielën nga agjencia meteorologjike.

Stuhia la pa furnizim me rrymë miliona amvisëri e kompani, shkaktoi vërshime në autostrada, e pengoi rrjetin e telekomunikimit, e shkaktoi shembjen e një ure me madhësi mesatare dhe rrëzoi mijëra drurë e shkaktoi ndërprerje të aktivitetit ekonomik në shumë qendra industriale.

Menaxherët dhe punëtorët në parqe industriale e fabrika në Haiphong, qytet bregdetar me dy milionë banorë, thanë të hënën se nuk kishin furnizim me rrymë dhe po mundoheshin që t’i shpëtonin pajisjet nga shiu në fabrika, kulmet e metalta të së cilave ishin shembur nga stuhia.

Agjencia e motit paralajmëroi më shumë vërshime e rrëshqitje dheu, duke theksuar se reshjet ishin mes 208 e 433 milimetrave në disa pjesë të rajonit verior gjatë 24 orëve të fundit.

Lajme të ngjashme