Tajfuni “Kajiki” afër Vietnamit: Mbyllen shkolla e aeroporte, nisin evakuime masive
Vietnami ka mbyllur aeroporte e shkolla dhe ka filluar evakuim masiv të njerëzve, përderisa po përgatitet për stuhinë më të fuqishme deri më tani këtë vit.
Tajfuni “Kajiki”, i cili ka sjellë erë me shpejtësi prej 166 kilometrash në orë në det”, ndodhej rreth 110 kilometra larg pjesës veriore të bregdetit qendror të Vietnamit në orën 3 të mëngjesit dhe pritet të arrijë në territor tokësor të hënën pasdite, tha agjencia vietnameze e motit, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.
“Kjo është një stuhi tepër e rrezikshme që po lëviz shpejt” – tha Qeveria në një deklaratë të dielën në mbrëmje, duke paralajmëruar se tajfuni do të sjellë shi të dendur, vërshime dhe rrëshqitje dheu.
Duke pasur bregdet në Detin Jugor të Kinës, Vietnami ballafaqohet me stuhi që shpesh janë vdekjeprurëse dhe shkaktojnë vërshime e rrëshqitje dheu të rrezikshme.
Parashikohet që tajfuni “Kajiki” t’i godasë provincat që janë më pak të industrializuara se zona e prekur vitin e kaluar nga tajfuni “Yagi”, i cili kishte lënë rreth 300 të vdekur e kishte shkaktuar dëme materiale me vlerë të rreth 3,3 miliardë dollarëve.
Pritet që stuhia ta vazhdojë rrugën në territor tokësor edhe në Laos e Tajlandë.
Qeveria vietnameze tha të hënën se rreth 30 mijë njerëz ishin evakuuar nga zonat bregdetare. Më shumë se 16.500 ushtarë e 107.000 pjesëtarë të personelit paraushtarak janë mobilizuar për të ofruar ndihmë në procesin e evakuimit dhe për të qëndruar në gjendje gatishmërie për operacione kërkim-shpëtimi, thuhet më tej në deklaratë.
Dy aeroporte në provincat Thanh Hoa dhe Quang Binh janë mbyllur, sipas Autoritetit të Aviacionit Civil. Kompanitë ajrore “Vietnam Airlines” dhe “Vietjet” anuluan dhjetëra fluturime në atë zonë të dielën dhe të hënën./Nacionale