"Ta v*rin secilin": Përkrahësit e Trumpit bëjnë thirrje për trazira dhe dhunë pas verdiktit
Disa mbështetës të ish-presidentit amerikan, Donald Trump, të inatosur me shpalljen e tij fajtor për 34 pika të aktakuzës nga një trup gjykues në Nju-Jork, i “vërshuan” uebfaqet pro Trumpit me thirrje për trazira, revolucion dhe shpagim të dhunshëm.
Pasi Trumpi u bë presidenti i parë amerikan që dënohet për një krim, përkrahësit e tij reaguan me dhjetëra postime me përmbajtje dhune në internet, sipas një analize të agjencisë “Reuters” mbi komentet në tri uebfaqe të lidhura me Trumpin: platforma sociale e tij, “Truth Social”, “Patriots.win” dhe “Gateway Pundit”.
Disa bënë thirrje për sulme ndaj gjykatësve, për ekzekutimin e gjykatësit Juan Merchan ose luftë civile të plotë dhe kryengritje të armatosur, raporton agjencia “Reuters”.
“Dikush në Nju-Jork, që nuk ka asgjë për të humbur, duhet të përkujdeset për Merchan-in. Shpresoj që ai të zatetet në ilegalë me hanxhar” – shkroi një komentues në uebfaqen “Patriots.win”.
Në “Gateway Pundit”, një komentues sugjeroi që liberalët të qëllohen me armë pas vendimit të gjykatës. “Koha për të qëlluar ca majtistë. Kjo nuk mund të ndreqet me votim” – thuhet në postim.
“Ta varin secilin”
Pas vendimit të gjykatës në Nju-Jork, shumë prej përkrahësve të Trumpit thanë se ky verdikt është dëshmi se sistemi politik amerikan është i prishur dhe se vetëm veprimet e dhunshme mund ta shpëtojnë vendin.
“1.000.000 burra (të armatosur) duhet të shkojnë në Uashington dhe ta varin secilin. Kjo është zgjidhja e vetme” – tha një komentues në “Patriots.win”. Një tjetër shtoi: “Trumpi tashmë duhet të dijë që ai ka një ushtri që është e gatshme për të luftuar dhe për të vdekur për të, nëse ai i thotë fjalët... Unë do t’i rrok armët, nëse ai kërkon.”
Në postime të tjera saktësohej që të shënjestroheshin demokratët, në disa raste duke sugjeruar që ata të qëllohen me armë. “Amerika e shkatërruar plotësisht nga demokratët. Bllokojeni [siguresën e armës] dhe ngarkojeni [karikatorin]” – shkroi një komentues në uebfaqen “Gateway Pundit”.
Kërcënimet për dhunë dhe retorika frikësuese ishin shtuar pas humbjes së Trumpit në zgjedhjet presidenciale të vitit 2020 dhe pas pretendimit të tij të rremë se votat ishin vjedhur.
Përderisa po bën fushatë për t’u rikthyer në Shtëpinë e Bardhë, Trumpi pa bazë i paraqet gjykatësit dhe prokurorët në gjykimet e tij si vegla të korruptuara të administratës së presidentit Joe Biden, të cilët, sipas tij, synojnë që t’ia sabotojnë qëllimin për t’u kthyer në pushtet.
Përkrahësit e tij besnikë kanë reaguar me një fushatë të kërcënimeve dhe frikësimit, duke vënë në shënjestër gjykatës dhe zyrtarë të gjykatave.
“Ky ishe turp, ishte gjykim i montuar nga një gjykatës në konflikt që ishe i korruptuar” – u tha Trumpi gazetarëve pas shpalljes së vendimit, duke u bërë jehonë komenteve që i kishte bërë shpesh gjatë gjykimit.