Super-tajfuni vdekjeprurës “Yagi” arrin në Kinë, sjell reshje të dendura e erë të fortë
Stuhia më e fuqishme në Azi këtë vit, super-tajfuni “Yagi”, arriti të premten në territorin tokësor të Kinës, në provincën Hainan, duke sjellë erë dhe shi të dendur që e shkaktuan mbylljen e shkollave për ditën e dytë rresht dhe anulimin e fluturimeve në rajonin e Detit Jugor të Kinës.
Me erë që e arrin shpejtësinë maksimale prej 234 kilometrash në orë në qendrën e tij, “Yagi” regjistrohet si cikloni tropikal i dytë më i fuqishëm në botë deri më tani këtë vit, pas uraganit të kategorisë së pestë “Beryl” në Atlantik, dhe cikloni më i fortë në basenin e Paqësorit këtë vit, raporton agjencia “Reuters”.
Pasi u forcua për më shumë se dyfish që nga shkaktimi i 16 viktimave në pjesën veriore të Filipineve më herët këtë javë, tajfuni “Yagi” e goditi qytetin Wenchang të Ishullit Hainan të Kinës.
Stuhia i ka detyruar autoritetet që të mbyllin shkolla, biznese e linja transporti në Hong Kong, Macau, Hainan dhe Guandong si dhe aeroporte në Vietnam, që pritet t’i përfshijë, bashkë me Laosin, gjatë fundjavës.
Autoriteti i Aviacionit Civil në Vietnam tha se katër aeroporte në pjesën veriore, përfshirë Aeroportin Ndërkombëtar “Noi Bai” në Hanoi, do të jenë të mbyllura të shtunën për shkak të stuhisë.
Super-tajfuni “Yagi” është stuhia më e ashpër që arrin në Hainan që nga viti 2014, kur tajfuni “Rammasun” e kishte goditur provincën si ciklon tropikal i kategorisë së pestë.