Sulmuesi që vrau 23 njerëz në Teksas i shpëton dënimit me vdekje – si? - NACIONALE

Sulmuesi që vrau 23 njerëz në Teksas i shpëton dënimit me vdekje – si?

1 vit më parë

nga NACIONALE

Patrick Crusius, sulmuesi që kishte vrarë 23 njerëz e kishte plagosur 22 të tjerë gjatë një sulmi masiv me armë zjarri më 2019, në shënjestër të të cilit ishin njerëzit me prejardhje latine në një qendër tregtare të kompanisë “Walmart”, të hënën u deklarua fajtor për vrasje dhe u dënua me burgim të përjetshëm pa mundësinë për zbutjen e dënimit.

Në seancën e së hënës, prokurori i distriktit El Paso, James Montoya, i lexoi emrat e secilit prej 23 njerëzve të vrarë dhe 22 të plagosurve, raportuan median lokale.

Montoya tha para gazetarëve muajin e kaluar se nuk do të kërkonte më dënim me vdekje për sulmuesin, nëse ai do të deklarohej fajtor, raporton agjencia e lajmeve "Reuters".

“E di se shumë njerëz donin që ne ta vazhdonim kërkimin e dënimit me vdekje për sulmuesin” – tha Montoya të hënën në një deklaratë, duke shtuar se shumë prej familjeve të viktimave donin që rasti të përfundonte sa më shpejt që ishte e mundshme.

“Pas gati gjashtë vjetëve, shumë familje donin që kjo thjesht të përfundonte dhe tani mori fund” – shtoi prokurori amerikan.

Gjykatësi Sam Medrano e dënoi Crusius-in me burgim të përjetshëm pa mundësinë e lehtësimit të dënimit për vrasje kapitale të shumë personale, si dhe me burgim të përjetshëm për secilën prej 22 pikave të akuzës për sulm të rënduar me armë vdekjeprurëse, tha prokurori në një deklaratë.

Sulmuesi më parë ishte deklaruar fajtor në aktakuzën federale me 90 pika për krime të urrejtjes dhe shkelje rreth armëve për sulmin që ishte kryer në gusht të vitit 2019 në qytetin kufitar El Paso dhe ishte dënuar me 90 dënime me burgim të përjetshëm.

Crusius-i ka pranuar se i kishte shënjestruar njerëzit për shkak të prejardhjes së tyre latine dhe se synonte që ta vriste secilin që e qëllonte, sipas prokurorëve federalë./Nacionale

Lajme të ngjashme