Sulmohet një festival në Stokholm, mbi 50 të lënduar - NACIONALE

Sulmohet një festival në Stokholm, mbi 50 të lënduar

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Më shumë se 50 persona janë lënduar e dhjetëra janë ndaluar nga policia në Stokholm, pasi kundërshtarët e Qeverisë së Eritresë, shtet në Afrikë Lindore, sulmuan një organizim në kryeqytetin suedez, që ishte organizuar nga përkrahësit e pushtetit.

Rreth një mijë protestues anti-qeveritarë, të cilët ishin autorizuar për të mbajtur një protestë afër festivalit, kapërcyen një barrikadë të policisë, duke prishur tenda e duke u vënë flakën kabinave e automjeteve, raporton gazeta “The Guardian”.

“Një tubim tjetër publik u mbajt afër vendit të festivalit, gjatë të cilit shpërtheu një kryengritje e dhunshme”- tha policia suedeze, duke shtuar në një deklaratë se kishin ndaluar rreth njëqind persona.

Policia tha se mbetej në vendin e ngjarjes, në periferinë veriperëndimore të Stokholmit, dhe se ishte “duke i vazhduar përpjekjet për të penguar akte kriminale e për ta rivendosur rendin”.

Sipas një zëdhënësi të policisë, 100 deri në 200 persona janë ndaluar. Policia tha se kishte hapur një hetim për kryengritjen e dhunshme, për zjarrvënie e për pengim të punës së policisë e të shërbimeve për shpëtim.

Policia tha se të paktën 52 persona kishin kërkuar ndihmë mjekësore, qoftë në vendin e ngjarjes, qoftë në klinika e spitale lokale. Deri në orën 19 të enjten, 15 persona ishin dërguar në spital, sipas një deklarate të autoriteteve shëndetësore në Stokholm. Thuhet se tetë persona kishin pësuar lëndime serioze, ndërsa shtatë të tjerë lëndime të lehta.

Në Suedi banojnë dhjetëra mijëra qytetarë me prejardhje nga Eritrea. Festivali që i kushtohet trashëgimisë kulturore të Eritresë është ngjarje vjetore që mbahet që nga vitet e nëntëdhjeta, por është kritikuar se gjoja shërben si vegël promovuese dhe burim i të ardhurave për qeverinë e këtij shteti afrikan, sipas mediave suedeze.

Lajme të ngjashme