Sulmohet në pritë një autobus në Papua Guinenë e Re, shtatë të vrarë e shumë të zhdukur - NACIONALE

Sulmohet në pritë një autobus në Papua Guinenë e Re, shtatë të vrarë e shumë të zhdukur

1 vit më parë

nga NACIONALE

Së paku shtatë njerëz u vranë dhe mbi dhjetë të tjerë mbeten të zhdukur, pasi disa persona të armatosur sulmuan në pritë një autobus publik dhe i qëlluan me armë pasagjerët në provincën Enga të Papua Guinesë së Re.

Të shtënat ndodhën në distriktin Lagaip të Engas të martën pasdite. Më shumë se 20 pasagjerë ndodheshin në autobus, kur disa burra të armatosur me armë të fuqishme “kryen një pritë dhe shkrepën të shtëna pa dallim” drejt automjetit, tha komisioneri i policisë, Joseph Tondop, në një deklaratë të publikuar të mërkurën, raporton gazeta “The Guardian”.

Shtatë pasagjerë meshkuj, përfshirë shoferin e autobusit, u vranë. Policia lokale tha se vozitësi e kishte kthyer autobusin prapa dhe kishte vozitur deri në spitalin e qytezës Wabag, rreth 50 minuta larg, por vdiq më pas, pasi ishte plagosur.

Një person mbetet në gjendje kritike në spital, ndërsa të paktën 17 persona janë të zhdukur. Tondopi tha se nuk ishte e qartë nëse pasagjerët e zhdukur ishin ende gjallë apo ishin plagosur, apo mund të ishin duke u fshehur në shkurre ose të strehuar te fiset fqinje.

Të mërkurën herët, policia nisi një operacion kërkimi për pasagjerët e zhdukur, duke filluar nga vendi i pritës, shtoi komisioneri i policisë.

Sipas tij, sulmi ishte “vrasje shpaguese”. Besohet se rasti është i lidhur me një problem me njërin prej pasagjerëve të autobusit dhe e shënon eskalimin më të ri të dhunës së gjatë mes grupeve fisnore të provincës Enga.

Fiset kanë luftuar mes vete me shekuj në Papua Guinenë e Re, por dhuna është bërë më vdekjeprurëse, kryesisht për shkak të hyrjes së armëve më të sofistikuara. Pushkët, hanxharët e granatat e dorës përdoren rregullisht gjatë luftimeve mes fiseve.

Nga dhuna që ka ndodhur rishtazi janë vrarë dhjetëra njerëz, janë shkatërruar shtëpi, infrastruktura e bizneset në provincë. Në shkurt, të paktën 50 njerëz u vranë në një masakër të kryer nga fiset rivale, në një konflikt që rrënjët i ka te mosmarrëveshjet e gjata për toka.

Lajme të ngjashme