Sulmohet në pritë autobusi me ushtarë sirianë, të paktën 20 të vrarë - NACIONALE

Sulmohet në pritë autobusi me ushtarë sirianë, të paktën 20 të vrarë

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Disa persona të armatosur sulmuan në pritë një autobus me ushtarë sirianë në pjesën lindore të vendit, duke vrarë të paktën 20 e duke plagosur disa të tjerë, thanë të premten aktivistët e opozitës.

Sulmi i së enjtes mbrëma besohet se u krye nga anëtarët e ISIS-it, celulat e heshtura të të cilit ende kryejnë sulme vdekjeprurëse në disa pjesë të Sirisë pavarësisht nga humbja më 2019, raporton agjencia “Associated Press”.

Vëzhguesi Sirian për të Drejtat e Njeriut, organizatë me bazë në Britani të Madhe, tha se 23 ushtarë sirianë janë vrarë dhe dhjetë të tjerë janë plagosur në sulmin që ka ndodhur në një rrugë në shkretëtirë, afër qytezës lindore, Mayadeen, të provincës Deir el-Zour, që kufizohet me Irakun.

Një organizatë tjetër e aktivistëve, që i mbulon lajmet në pjesën lindore të Sirisë, tha se 20 ushtarë janë vrarë, ndërsa të tjerët janë plagosur.

Agjencia shtetërore siriane e lajmeve, SANA, citoi një zyrtar të paidentifikuar ushtarak të ketë thënë se sulmi ndodhi të enjten natën, “duke vrarë e plagosur një numër ushtarësh”, por nuk u dhanë hollësi të tjera, as numrat e të vrarëve e të plagosurve.

ISIS-i kontrollonte pjesë të mëdha të Sirisë dhe Irakut, kur e kishte shpallur kalifatin në qershor të vitit 2014. Me kalimin e viteve, grupi humbi territor dhe u mposht në Irak më 2017 e dy vjet më vonë në Siri.

Në njërin nga sulmet më të përgjakshme, celulat e heshtura të ISIS-it sulmuan në shkurt punëtorë që ishin duke grumbulluar tartuf afër qytezës qendrore, Sukhna, duke vrarë të paktën 53 persona, kryesisht punëtorë, por edhe disa pjesëtarë të forcave siriane të sigurisë.

Lajme të ngjashme