Sulmi në shkollën e Finlandës duket i paramenduar, thotë policia
Djali 12-vjeçar i akuzuar për vrasjen e një bashkëmoshatari të klasës së gjashtë përmes të shtënave me armë në një shkollë në Finlandë këtë javë duket se e kishte planifikuar sulmin paraprakisht, sipas dëshmive të siguruara nga pajisjet elektronike, tha të enjten policia finlandeze.
Hetuesit kanë thënë se sulmuesi mund të ishte nxitur nga bullizmi për ta kryer sulmin që, përpos një të vrari, la edhe dy fëmijë të tjerë të plagosur rëndë, raporton agjencia “Reuters”.
“Hetimi fillestar ka gjetur dëshmi që tregon se akti ishte i planifikuar” – thuhet në një deklaratë të policisë, ku përmenden materiale të pasaktësuara që janë gjetur në një telefon dhe në një kompjuter.
I dyshuari, që u ndalua nga policia rreth katër kilometra larg shkollës, është shumë i ri për t’u vënë para gjykatës dhe tani ndodhet nën kujdesin e shërbimeve sociale. Policia thotë se ai e ka pranuar kryerjen e sulmit.
Pas të shtënave në shkolla më 2007 dhe 2008, kur ishin vrarë 20 persona, Finlanda i ashpërsoi ligjet për armë më 2010, duke futur në fuqi një test aftësie për ata që do të aplikonin për leje për armë dhe duke e rritur moshën minimale nga 18 në 20 vjeç.
Në shtetin me 5,6 milionë banorë ndodhen mbi 1,5 milion armë zjarri me leje dhe rreth 430 mijë mbajtës të lejeve për to. Në Finlandë, gjuetia dhe shenjëtaria janë të popullarizuara.