Sulmi ndaj Abe-s e tmerron shtetin e njohur për siguri - NACIONALE

Sulmi ndaj Abe-s e tmerron shtetin e njohur për siguri

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Ish-kryeministri i Japonisë, Shinzo Abe, u qëllua dy herë me armë gjatë mbajtjes së një fjalimi zgjedhor. Pyetja e parë që shumë njerëz e bënë ishte se si ka arritur sulmuesi të sigurojë armë.

Përgjigjja duket se është: e ka përgatitur vetë. Në fotografitë e bëra në vendin e ngjarjes, kur sulmuesi kapet, shihet se në dorë ka një armë të improvizuar, me dy tyta.

Dhuna me armë është shumë e rrallë në Japoni dhe është shumë vështirë që të merret leja për armëmbajtje. Edhe dhuna politike është shumë e rrallë. Japonia njihet në botë për nivelin e lartë të sigurisë.

Abe kishte me vete një ekip policësh, por duket se sulmuesi arriti që të vendosej afër ish-kryeministrit pa ndonjë kontroll ose pengesë, shkruan “BBC”, përcjell Nacionale.

Sulmi ndaj një figure të tillë të rëndësishme është thellësisht tmerrues në një shtet që mburret me nivelin e sigurisë, shkruan korrespondenti i “BBC”-së në Tokio, Rupert Wingfield-Hayes.

Udhëheqësit botërorë janë shprehur të tmerruar nga sulmi me armë ndaj ish-kryeministrit të Japonisë, Shinzo Abe, gjatë fjalimit në fushatë zgjedhore, duke u lutur për shërimin e tij.

Sekretari i Shtetit i ShBA-së, Anthony Blinken, tha se vendi i tij është “thellësisht i pikëlluar dhe thellësisht i shqetësuar” për sulmin ndaj ish-kryeministrit japonez.

Ministri i Mbrojtjes i Japonisë, Nobuo Kishi, tha se cilido që ishte motivi i sulmit, ai është veprim i pajustifikueshëm.

Zyrtarët thanë më herët se Abe është qëlluar në qafë dhe gjoks dhe ka pësuar gjakderdhje të brendshme të konsiderueshme.

Lajme të ngjashme