Sulme masive ruse në Ukrainë në ditën e dytë rresht - NACIONALE

Sulme masive ruse në Ukrainë në ditën e dytë rresht

1 vit më parë

nga NACIONALE

Rusia e ka vënë në shënjestër Ukrainën me një valë tjetër të sulmeve, një ditë pas disa prej sulmeve më të mëdha të Moskës gjatë luftës.

Alarmet për sulme ajrore u lëshuan të martën herët, përderisa radarët e Ukrainës vërejtën aeroplanë rusë duke hedhur raketa hipersonike. U raportua edhe për sulme masive me dronë, raporton televizioni BBC.

Forcat ajrore ukrainase thonë se i tërë vendi është nën rrezikun e sulmeve me armë balistike.

Në një deklaratë të Ministrisë së Mbrojtjes të Rusisë thuhet se armatim ajror me rreze të gjatë si dhe armë precize me bazë në det ishin përdorur për të sulmuar stacione të energjisë dhe infrastrukturën përkatëse në pjesë të ndryshme të Ukrainës, përfshirë rajonet e Kievit, Lvivit, Kharkivit dhe Odesës.

Së paku gjashtë persona vdiqën në natën mes së dielës dhe të hënës dhe dhjetëra të tjerë u plagosën, përderisa më shumë se gjysma e rajoneve të Ukrainës u sulmuan me raketa e dronë.

U godit infrastruktura energjetike, duke shkaktuar ndërprerje të rrymës në shumë qytete. U prek edhe furnizimi me ujë.

Presidenti amerikan, Joe Biden, i quajti “mizore” këto sulme, duke thënë se Uashingtoni do të vazhdojë që ta mbështesë rrjetin energjetik të Ukrainës.

Sekretari i Jashtëm i Britanisë së Madhe, David Lammy, i dënoi “sulmet frikacake me raketa e dronë ndaj infrastrukturës civile”.

Tre persona tashmë dihet se kanë vdekur nga vala më e re e sulmeve.

Një ndërtesë e infrastrukturës civile u godit në qytetin lindor, Kryvyi Rih, të hënën vonë, duke lënë dy të vrarë. Disa persona janë të zhdukur.

Udhëheqësi i administratës rajonale në rajonin Zaporizhia, Ivan Federov, tha se një burrë ishte vrarë, ndërsa një burrë tjetër dhe një grua ishin lënduar në qytetin me të njëjtin emër./Nacionale

Lajme të ngjashme