Sulme ajrore ruse në Kiev, gjashtë të vrarë e mbi 50 të plagosur - NACIONALE

Sulme ajrore ruse në Kiev, gjashtë të vrarë e mbi 50 të plagosur

1 vit më parë

nga NACIONALE

Së paku gjashtë njerëz u vranë dhe mbi 50 të tjerë u plagosën gjatë sulmeve ruse me dronë e raketa në Kiev të Ukrainës gjatë natës së kaluar, thanë zyrtarët ukrainas.

Në mesin e të vrarëve ishte një djalë 6-vjeçar, ndërsa tri raste të tjera fatale u konfirmuan në një bllok banesor që u shemb pas një sulmi, raporton televizioni BBC.

Tymur Tkachenko, drejtor i administratës ushtarake të Kievit, tha se numri i viktimave mund të rritet dhe se dëme janë shkaktuar në më shumë se 20 zona në mbarë kryeqytetin ukrainas.

Sulmet ruse kanë vazhduar pavarësisht kërcënimit të presidentit amerikan, Donald Trump, për vendosjen e sanksioneve më të ashpra ndaj Moskës, nëse homologu i tij rus, Vladimir Putin, nuk pajtohet për një armëpushim deri më 8 gusht.

Igor Klymenko, ministër i Mbrojtjes i Ukrainës, tha: “Njëri nga sulmet goditi një ndërtesë shumëkatëshe të banimit, një hyrje e tërë u shkatërrua. Punëtorët e shpëtimit janë duke i pastruar rrënojat.”

Sipas tij, më së rëni nga këto sulme u goditën distriktet Sviatoshynsky dhe Solomyansky të Kievit, ku një person u vra dhe mbi 20 të tjerë u lënduan.

Dritaret e një reparti spitalor për fëmijë në distriktin Shevcehnkivsky u hodhën në erë nga vala e shokut, tha në rrjetin “Telegram” kryetari i Kievit, Vitali Klitschko.

Njëri nga institucionet e arsimit të lartë në Kiev, një shkollë dhe një çerdhe fëmijësh gjithashtu u dëmtuan gjatë sulmit.

Në një shkrim në rrjetin X, ministri i Jashtëm i Ukrainës, Andrii Sybiha, tha se ishte një “mëngjes i tmerrshëm” në Kiev dhe se “ende ka njerëz nën rrënoja”.

Kryediplomati ukrainas tha se Trumpi ka qenë “shumë zemërgjerë dhe i durueshëm” me Putinin, por se tani është koha që t’i vihet “presion maksimal Moskës” përmes sanksioneve./Nacionale

Lajme të ngjashme