Sulm vetëvrasës para një gjykate në Pakistan, 12 të vrarë e dhjetëra të plagosur
Një sulmues vetëvrasës të martën e aktivizoi lëndën shpërthyese afër një veture të policisë, pranë portave të një gjykate të qarkut në Islamabad të Pakistanit, duke lënë të vrarë 12 njerëz e duke plagosur 27 të tjerë, tha ministri i Punëve të Brendshme.
Shpërthimi, i cili u dëgjua me kilometra larg, ndodhi në kohën kur ajo zonë është zakonisht e mbushur me qindra vizitorë që marrin pjesë në seanca dëgjimore. Në raportime të mëhershme nga mediat shtetërore dhe dy zyrtarë të sigurisë thuhej se shpërthimi ishte shkaktuar nga një veturë bombë, raporton agjencia e lajmeve “Associated Press”.
Sulmuesi u përpoq që të hynte në hapësirat e gjykatës, por, pasi dështoi, vuri në shënjestër një automjet të policisë, tha para gazetarëve ministri i Punëve të Brendshme, Mohsin Naqvi.
Ai nuk fajësoi ndonjë grup militant, por shtoi se autoritetet “janë duke i shikuar të gjitha aspektet” e sulmit. Naqvi tha se hetuesit policorë gjithashtu kishin konfirmuar se shpërthimi ishte shkaktuar nga një sulmues vetëvrasës.
Asnjë grup nuk e mori menjëherë përgjegjësinë për shpërthimin, por Pakistani është ballafaquar me sulme nga militantët në mbarë vendin si dhe me një kryengritje të talibanëve pakistanezë.
Sipas raportimeve të mediave, viktimat ishin kryesisht kalimtarë rasti ose persona që kishin ardhur në gjykatë për terminë. Policia e Islamabadit nuk lëshoi menjëherë ndonjë deklaratë për sulmin, por tha se ende ishte duke e hetuar rastin./Nacionale