Sulm masiv me raketa e dronë në Kiev, së paku dy të vrarë
Të paktën dy persona u vranë dhe dy të tjerë u plagosën nga një sulm “masiv” rus me raketa e dronë të mërkurën në kryeqytetin ukrainas, Kiev, thanë zyrtarët. Mbetjet e raketave e dronëve të rrëzuar nga mbrojtja ajrore ranë mbi disa ndërtesa në qytet.
Trupat e dy personave u gjetën në një ndërtesë dhe një person u plagos nga copëzat e xhamit, tha kryetari i Kievit, Vitali Klitschko, në rrjetin “Telegram”, duke shtuar se mbetjet e dronëve e raketave ranë në katër zona të kryeqytetit, raporton agjencia “Reuters”.
“Kievi nuk ka përjetuar sulm të tillë të fuqishëm që nga pranvera. Armiku kreu një sulm masiv, të kombinuar, duke përdorur dronë e raketa”- tha Serhiy Popko, drejtor i administratës ushtarake të qytetit.
Ai shtoi se në fillim, disa grupe dronësh po lëviznin drejt qytetit nga drejtime të ndryshme. Pastaj, Rusia hodhi raketa nga aeroplanët strategjikë të tipit “Tu-95”.
“Në tërësi, forcat e mbrojtjes ajrore shkatërruan më shumë 20 caqe të armikut”- tha Popkoja.
Gjenerali Valeriy Zaluzhnyi, komandant i ushtrisë ukrainase, tha se mbrojtja ajrore rrëzoi 28 raketa ruse e 15 nga 16 dronët e lëshuar gjatë natës.
Autoritetet në Kiev thanë se disa ndërtesa u dëmtuan nga mbetjet e raketave e dronëve, ndërsa zyrtarët e rajonit të kryeqytetit raportuan se gjashtë shtëpi private janë dëmtuar nga copëzat e raketave dhe disa persona janë lënduar.
