Sullivani premton në Kiev se ShBA-ja “do ta sjellë” pakon ushtarake të ndihmave në Ukrainë - NACIONALE

Sullivani premton në Kiev se ShBA-ja “do ta sjellë” pakon ushtarake të ndihmave në Ukrainë

2 vjet më parë

nga NACIONALE

Këshilltari për siguri kombëtare i Shtëpisë së Bardhë, Jake Sullivan, tha gjatë një vizite në Kiev të mërkurën se një pako e rëndësishme amerikane e ndihmave, që është bllokuar me muaj nga republikanët në Kongresin e ShBA-së, “do të arrijë në Ukrainë” dhe u zotua se përkrahja e Uashingtonit do të vazhdojë.

“Nga këndvështrimi ynë, ne kemi besim se do ta kryejmë këtë. Ne do ta dërgojmë këtë ndihmë në Ukrainë” – tha zyrtari i lartë amerikan gjatë një konference të përbashkët për gazetarë pas takimit me shefin e stafit presidencial të Ukrainës, Andriy Yermak.

Sullivani nuk dha ndonjë afat për arritjen e ndihmës, por tha se nuk ka nevojë që të flitet për një “plan B”, si duket duke e refuzuar idenë se ndihma do të mund të ofrohej në formën e një huaje, raporton agjencia "Reuters".

“Unë kam besim se ne do ta arrijmë planin A. Ne do të sigurojmë një votim të fortë dypartiak në Dhomë [të Përfaqësuesve] për një pako asistence për Ukrainën dhe ne do t’i nxjerrim ato para nga dera ashtu si duhet” – shtoi ai, duke theksuar se procesi “tashmë ka zgjatur tepër”.

Në anën tjetër, Yermaku tha se dy zyrtarët kishin diskutuar për nevojat e tanishme të Ukrainës në fushën e betejës, për samitin e NATO-s që do të mbahet në korrik në Uashington dhe për një samit të paqes në Zvicër, për të cilin Ukraina dëshiron që të mbahet këtë pranverë.

Ukraina nuk planifikon që ta ftojë Rusinë në këtë samit, qëllimi i të cilit është përforcimi i planit për paqe i presidentit ukrainas, Volodymyr Zelensky. Me këtë plan kërkohet tërheqja e plotë e trupave ruse, kusht që është refuzuar që në fillim nga Rusia.

Më tej, Yermaku tha në konferencën për gazetarë se ai beson që Kina – shtet që këtë muaj dërgoi një emisar të lartë nëpër kryeqytete evropiane, përfshirë Kievin e Moskën – mund të marrë pjesë në samit.

Kina, ekonomia e dytë më e madhe në botë, shihet si aleate e Rusisë dhe ka lidhje të thella diplomatike me Moskën. Pjesëmarrja e saj në samit do të shihej si fitore e madhe diplomatike për Ukrainën.

“Vizita e fundit e përfaqësuesit të posaçëm të Kinës jep shpresë të matur se Kina gjithashtu do të marrë pjesë në proces” – tha zyrtari ukrainas.

Lajme të ngjashme