Suedia do t’i rrisë për 2,8 miliardë dollarë shpenzimet ushtarake vitin e ardhshëm
Qeveria e Suedisë në buxhetin e vitit të ardhshëm do t’i rrisë fondet për forcat e armatosura për 26,6 miliardë krona (2,87 miliardë dollarë), tha të hënën kryeministri Ulf Kristersson.
“Ne tani do ta bëjmë hapin e ardhshëm të madh në pajimin e mbrojtjes suedeze. Ne e kemi rritur buxhetin e mbrojtjes për 100 miliardë krona nga viti 2022. Kjo është e pashembullt, përpos nëse nuk ktheheni te ditët më të këqija të Luftës së Ftohtë” – tha ai, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.
Koalicioni qeveritar i krahut të djathtë, i cili e ka shumicën e ulëseve në Kuvend, pritet që ta dorëzojë projektligjin për buxhetin e vitit të ardhshëm më 22 shtator.
Kjo rritje paraqet 18 për qind më shumë shpenzime në mbrojtje në krahasim me vitin e kaluar dhe do ta çojë buxhetin ushtarak të Suedisë në 2,8 për qind të prodhimit vendës bruto (GDP) më 2026, duke e sjellë më afër cakut të ri të NATO-s prej 3,5 për qind. Qeveria pret që shpenzimet në fushën e mbrojtjes të arrijnë në 3,1 për qind të GDP-së më 2028.
Fondet e shtuara do të shpenzohen për materiale të reja, si mbrojtja ajrore, artileria raketore, anijet luftarake dhe aeroplanët transportues taktikë. Rritja e buxhetit do të shërbejë edhe për rritjen e pagave të oficerëve dhe rekrutëve.