Suedia as në luftë, as në paqe, thotë kryeministri Kristersson - NACIONALE

Suedia as në luftë, as në paqe, thotë kryeministri Kristersson

1 vit më parë

nga NACIONALE

Kryeministri i Suedisë, Ulf Kristersson, ka thënë se vendi i tij nuk është as në luftë, as në paqe, përderisa njoftoi se Stokholmi do të dërgojë forca të armatosura në Detin Baltik për herë të parë si pjesë e përpjekjeve të shtuara për vëzhgim në kohën e një vargu të rasteve të dyshimta të sabotimit ndaj kabllove në fund të detit.

Suedia njoftoi se do të kontribuojë me deri tri luftanije dhe një aeroplan vëzhgues në përpjekjen e NATO-s për vëzhgimin e infrastrukturës kritike dhe “flotës hije” të Rusisë, përderisa aleanca po mundohet që të jetë e kujdesshme kundër sabotimit të infrastrukturës nënujore, raporton gazeta “The Guardian”.

Duke folur në ditën hapëse të konferencës treditore vjetore “Folk och Forsvars” (Populli dhe mbrojtja), Kristersson-i gjithashtu e komentoi dëmtimin e kabllove nënujore në Baltik që ka ndodhur rishtazi, duke thënë se “qëllimi armiqësor nuk mund të përjashtohet”.

Në kohën e sulmeve hibride e “luftërave prokurë” – duke e cituar përdorimin e dyshimtë nga Irani të një anëtarëve të bandave suedeze për të kryer krime – kryeministri suedez tha: “Suedia nuk është në luftë, por as paqe nuk ka.”

“Paqja e vërtetë i kërkon lirinë dhe mungesën e konflikteve serioze mes shteteve, por ne dhe fqinjët tanë jemi të shpërfaqur ndaj sulmeve hibride, të kryera jo me robotë ose ushtarë, por me kompjuterë, të holla, dezinformata dhe rrezikun e sabotimit” – shtoi ai, duke paralajmëruar se ata që duan paqe, duhet “të jenë të përgatitur për luftë”.

Në një konferencë për gazetarë, që u mbajt më vonë, Kristersson-i tha se Suedia do të dërgojë një aeroplan vëzhgues ASC 890 dhe deri në tri luftanije. “Kjo është hera e parë që Suedia ka kontribuuar me forca të armatosura në zonën tonë të afërt” – shtoi ai.

Duke e komentuar hetimin e anijes “Eagle S”, e dyshuar për dëmtimin e një kablloje mes Finlandës e Estonisë muajin e kaluar, kryeministri suedez tha se NATO-ja është “e gatshme për të ndihmuar” dhe se një nëndetëse suedeze për shpëtim ndodhet në vendin e ngjarjes dhe ka nxjerrë një spirancë.

“Suedia nuk kërcen në konkluzione e as nuk e akuzon askënd për sabotim pa arsye shumë të forta. Puna vazhdon dhe këshilli i sigurisë kombëtare është i përditësuar në mënyrë të vazhdueshme” – tha ai./Nacionale

Lajme të ngjashme