Sudani i kërcënon me sulm Sudanin e Jugut dhe Çadin
Sudani i Jugut dhe Çadi i dënuan kërcënimet e bëra nga një gjeneral i lartë i Sudanit, duke paralajmëruar për rrezikun për eskalim rajonal.
Në një fjalim të mbajtur të dielën në mbrëmje, asistenti i zëvendëskomandantit të Shtabit të Përgjithshëm të ushtrisë sudaneze, Gjeneral Yasir al-Atta, tha se aeroportet e Çadit në qytetet N’Djamena dhe Amdjarass ishin “shënjestra legjitime ushtarake” dhe e akuzoi Sudanin e Jugut se po strehon “tradhtarë”, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.
Në një deklaratë të publikuar të hënën, Sudani i Jugut e dënoi deklaratën e gjeneralit al-Atta, duke e quajtur “shkelje flagrante e së drejtës ndërkombëtare”, duke e riafirmuar përkushtimin e vendit ndaj paqes, por duke paralajmëruar se do t’i ndërmerrte të gjithë hapat e nevojshëm për ta mbrojtur sovranitetin e vet.
Çadi, në një deklaratë të ngjashme të publikuar të dielën, tha se deklarata e gjeneralit sudanez “do të mund të interpretohej si shpallje lufte”, duke u zotuar për kundërpërgjigje “të vendosur e proporcionale” ndaj çfarëdo sulmi.
Komentet vijnë në kohën e eskalimit të akuzave nga Sudani se Emiratet e Bashkuara Arabe i kanë furnizuar me dronë Forcat e Mbështetjes së Shpejtë (RSF), rivale të Qeverisë në një luftë gati dyvjeçare, akuzë që është mohuar nga Abu Dabi, por e cila është cilësuar si e besueshme nga ekspertë të OKB-së e disa ligjvënës amerikanë.
Sudani ka pretenduar se disa prej këtyre operacioneve janë nisur nga Çadi.
Autoritetet sudaneze e kanë çuar çështjen në Këshillin e Sigurimit të OKB-së dhe në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë (GjND), duke i akuzuar Emiratet e Bashkuara Arabe për bashkëfajësi në gjenocid kundër grupit etnik Masalit në Darfur.
Lufta mes ushtrisë sudaneze e Forcave të Mbështetjes së Shpejtë, e cila shpërtheu në prillin e vitit 2023, e ka shkaktuar zhvendosjen e miliona njerëzve dhe i ka tensionuar marrëdhëniet me vendet fqinje.
Pavarësisht nga përpjekjet e Çadit dhe të Sudanit të Jugut për ndërmjetësim, udhëheqës ushtarakë sudanezë i kanë akuzuar gjithnjë më shumë këto dy shtetet se po u ofrojnë ndihmë Forcave të Mbështetjes së Shpejtë./Nacionale