Stuhi masive në ShBA, jepet urdhër për evakuime në Kaliforni
Autoritetet amerikane kanë dhënë urdhra dhe këshilla për evakuim në disa pjesë veriore të Kalifornisë për shkak të një stuhie masive në atë pjesë të Shteteve të Bashkuara.
Banorët e rajoneve që më parë janë goditur nga zjarret në natyrë, ishin në mesin e të parëve që iu kërkua evakuimi për shkak të shqetësimit për vërshime dhe rrëshqitje dheu, shkruan BBC, përcjell “Nacionale”.
Guvernatori i Kalifornisë e ka shpallur gjendjen e jashtëzakonshme për shkak të stuhisë së dytë që e goditi shtetin amerikan këtë javë.
Parashikuesit e motit thonë se stuhia do të shndërrohet në të ashtuquajturin “ciklon bombë”, lloj i stuhisë shpërthyese, dhe se ka mundësi që të shkaktojë viktima.
Kalifornia Veriore pritet të goditet më së rëndi. Shërbimi Kombëtar i Motit ka lëshuar paralajmërim për vërshime dhe erë të fuqishme për tërë zonën Bay Area në veriun e Kalifornisë, duke thënë se era pritet të rrëzojë drurë dhe të shkaktojë ndërprerje rryme.
“Thënë thjesht, ka gjasë që ky do të jetë njëri ndër sistemet më me ndikim në shkallë të gjerë që ky meteorolog e ka parë për një kohë të gjatë”- tha parashikuesi i Shërbimit Kombëtar të Motit në një këshillë.
“Në mesin e ndikimeve do të përfshihen vërshimet e gjera, rrugët e mbuluara me ujë, shembja e shpateve, rrëzimi i drurëve (potencialisht korije të plota), ndërprerja e gjerë e rrymës, pengimi i menjëhershëm i tregtisë dhe, më e keqja, me gjasë, humbja e jetës së njerëzve”- shtoi ai.
Një urdhër për evakuim është lëshuar në distriktin Santa Cruz, në jug të San Franciskos, për shkak të “mundësisë së madhe” që disa lagje do të bëhen të paqasshme për shkak të vërshimeve.
Në disa shkolla në veri të Kalifornisë është anuluar procesi mësimor, përfshirë mësimin për 8 mijë nxënës të shkollave publike të San Franciskos.
Në një deklaratë me të cilën e shpalli gjendjen e jashtëzakonshme të mërkurën, guvernatori Gavin Newsom tha se urdhri i tij “do ta lejojë shtetin që të reagojë shpejt përderisa stuhia zhvillohet dhe t’i përkrahë zyrtarët lokalë në reagimin e tyre të vazhdueshëm”.
Vetëm një vit pasi Kalifornia e regjistroi njërin ndër vitet më të thata, San Franciskoja të shtunën e regjistroi ditën e dytë më të lagësht në më shumë se 170 vjet.