Stuhi e vërshime në Gjermani, përmbytje në aeroportin e Frankfurtit
Një stuhi me reshje të dendura të shiut ndodhi të mërkurën mbrëma në Frankfurt të Gjermanisë. Dhjetëra aeroplanë nuk mundën që të niseshin nga aeroporti më i madh në vend për shkak të motit të lig dhe ujit të grumbulluar në pistë, sipas gazetës “Bild”.
Raportohet se zjarrfikësit u detyruan që të ndërhynin në 515 raste nga ora 21 të mërkurën deri në orën 5 të mëngjesit të enjten. Në këto raste u përfshinë 17 zjarre, 374 misione shpëtimi për shkak të 357 rrjedhjeve të ujit në ndërtesa dhe 17 raste të rrëzimit të drurëve.
Rreth 70 anulime të fluturimeve u vërejtën në uebfaqen e aeroportin para fillimit të ndalimit të fluturimeve gjatë natës. 23 aeroplanë që ishte planifikuar të aterronin aty u devijuan për në aeroporte të tjera për shkak të këtij vendimi. Sipas zyrtarëve të aeroportit, një numër katërshifror i pasagjerëve janë prekur nga pengesat.
Qindra zjarrfikës u aktivizuan në Hesse për shkak të bodrumeve, rrugëve e nënkalimeve të vërshuara. Shërbimi Gjerman i Motit kishte lëshuar paralajmërim për stuhi të fuqishme me reshje të dendura nga e mërkura në mbrëmje për tërë shtetin Hesse dhe për pjesë të tjera të Gjermanisë.
Në Gelsenkirchen, raportohet se uji i vërshimeve arriti deri në një metër thellësi në disa rrugë. Disa prej tyre mund të kaloheshin vetëm me barka. Deri në orën 4 të mëngjesit, zjarrfikësit numëruan 150 ndërhyrje. Raportime të ngjashme pati edhe nga Herne.
Nga stuhia është prekur edhe Thuringia. Vetëm në Erfurt, zjarrfikësit u detyruan që të ndërhynin më shumë se 200 herë. Reshjet e dendura shkaktuan vërshim të sistemit të kanalizimit. Dy kamionë u rrokullisën nga era e fuqishme, ndërsa drejtuesit e tyre janë lënduar lehtë, sipas policisë.