Studim: Pakësimi i ndihmave nga ShBA-ja e Evropa mund të rezultojë në 22,6 milionë vdekje - NACIONALE

Studim: Pakësimi i ndihmave nga ShBA-ja e Evropa mund të rezultojë në 22,6 milionë vdekje

10 muaj më parë

nga NACIONALE

Zvogëlimi i papritur i ndihmave për zhvillim nga shtete donatore të rëndësishme mund të shkaktojë deri në 22,6 milionë vdekje shtesë në vendet në zhvillim deri në vitin 2030, përfshirë 5,4 milionë fëmijë nën moshën 5-vjeçare, sipas një studimi të ri të Institutit të Barcelonës për Shëndet Global (ISGlobal) dhe organizata të tjera.

Paralajmërimi vjen kur Shtetet e Bashkuara, Britania, Gjermania dhe Franca i kanë pakësuar ndihmat për zhvillim për herë të parë në gati tri dekada dhe po planifikojnë zvogëlime të mëtejme. Në studimin e “ISGlobal”-it thuhet se pakësimet e vazhdueshme mund të zhbënë disa dekada përparim në shëndetin global dhe zvogëlimin e varfërisë, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.

Raporti i qendrës hulumtuese për shëndetin global, një kopje të të cilit e ka parë edhe agjencia “Reuters”, ekzaminoi të dhëna nga 93 shtete me të ardhura të ulëta e të mesme për ta vlerësuar ndikimin e zvogëlimeve të mëtejme të asistencës zyrtare për zhvillim më 2025, shtuar pakësimeve të ndjeshme gjatë pesë viteve të fundit.

Në raport konkludohet se një zvogëlim i madh i kësaj asistence do të çonte në 22,6 milionë vdekje shtesë, përfshirë 5,4 milionë fëmijë nën moshën 5-vjeçare, deri në vitin 2030, dukshëm më shumë se numri që e kishte paraqitur instituti hulumtues në studimin e mëparshëm, që ishte i përqendruar në pakësimin e ndihmave nga Shtetet e Bashkuara.

Ekspertët e zhvillimit dhe të të drejtave të njeriut kanë paralajmëruar se lëvizjet e presidentit amerikan, Donald Trump, për ta mbyllur agjencinë USAID dhe për t’i zvogëluar në masë të ndjeshme ndihmat për zhvillim – veprime që janë pasqyruar edhe në shtete të tjera – do të shkaktojnë ngritje të shkallës së vdekjeve të parandalueshme.

Lajme të ngjashme