Studentëve kinezë në Britani raportohet se u është kërkuar t’i spiunojnë shokët
Studentëve kinezë në universitetet britanike po u bëhet presion për t’i spiunuar shokët e shoqet e studimeve në përpjekje për ta shtypur diskutimin e çështjeve që janë të ndjeshme për qeverinë kineze, thuhet në një raport të ri.
Organizata “Transparenca Britani – Kinë” (UKCT) thotë se sondazhi i saj me akademikë në studime për Kinën gjithashtu i ka vënë në pah raportimet se zyrtarë qeveritarë kinezë u kanë dhënë paralajmërime ligjëruesve për shmangien e temave të caktuara në orët e mësimit, raporton televizioni BBC.
Raporti vjen disa ditë pas hyrjes në fuqi të një ligji që u vë më shumë përgjegjësi universiteteve për t’i ruajtur lirinë akademike dhe lirinë e të shprehurit.
Ambasada kineze në Londër e quajti raportin “ të pabazë dhe absurd”, duke shtuar se Kina e respekton lirinë e shprehjes në Britani dhe në vende të tjera.
Zyra për Studentë, rregullator i çështjes, thotë se liria e shprehjes dhe liria akademike janë “fundamentale” për shkollimin e lartë.
Megjithatë, në raportin e UKCT-së thuhet se disa universitete ngurrojnë që ta adresojnë çështjen e ndërhyrjes kineze për shkak të varësisë financiare të tyre nga pagesat që i bëjnë studentët kinezë.
Në raport pretendohet se disa akademikëve kinezë të përfshirë në hulumtime të ndjeshme u janë refuzuar vizat nga qeveria kineze, ndërsa disa të tjerë thanë se anëtarët e familjeve në Kinë janë frikësuar ose kërcënuar për shkak të punës së të afërmve të tyre në Britani.
Në këto tema të ndjeshme mund të përfshihen shkenca, politika, teknologjia dhe shkencat humane, thuhet në raport, përfshirë dyshimet për spastrim etnik në rajonin Xinjiang të Kinës, shpërthimin e koronavirusit ose rritjen e kompanive kineze të teknologjisë./Nacionale