Stoltenbergu thotë se Rusia shënoi përparim falë vonesës së ndihmave për Ukrainën
Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, tha të hënën se shtetet e aleancës nuk ia kanë dërguar Ukrainës ndihmën e premtuar me kohë, duke e lejuar Rusinë që ta vazhdojë përparimin, ndërsa forcat ukrainase po presin që furnizimet ushtarake të arrijnë nga ShBA-ja e Evropa.
“Vonesat serioze në përkrahje kanë nënkuptuar pasoja serioze në fushën e betejës” për Ukrainën, tha Stoltenbergu gjatë një konference për gazetarë në Kiev me presidentin ukrainas, Volodymyr Zelensky, raporton agjencia “Associated Press”.
“Mungesa e municionit i ka lejuar rusët që të shtyjnë përpara përgjatë vijës së frontit. Mungesa e mbrojtjes ajrore ka bërë të mundshme që më shumë raketa ruse t’i godasin caqet e tyre dhe mungesa e kapaciteteve për sulm të thellë u ka bërë të mundshme rusëve që të përqendrojnë më shumë forca” – tha më tej sekretari i NATO-s.
Partnerët perëndimorë të Kievit në mënyrë të përsëritur janë zotuar se do të qëndrojnë me Ukrainën “për aq gjatë sa të nevojitet”. Megjithatë, ndihma jetike ushtarake e ShBA-së u mbajt pezull për gjashtë muaj për shkak të dallimeve politike në Uashington, ndërsa prodhimi i pajisjeve ushtarake në Evropë nuk është mbajtur në nivelin e kërkesës.
Presidenti Zelensky tha se dërgesat e reja perëndimore kanë filluar që të arrijnë në vendin e tij, por ngadalë. “Ky proces duhet të përshpejtohet” – tha ai në konferencën e përbashkët me Stoltenbergun.
Edhe pse vija 1000-kilometërshe e frontit ka ndryshuar pak që nga pjesa e hershme e luftës, forcat ruse javëve të fundit kanë lëvizur përpara, sidomos në rajonin e Donetskut, duke përdorur shifra të mëdha ushtarësh e fuqi masive të zjarrit për t’i goditur pozicionet mbrojtëse.
Rusia gjithashtu po vazhdon që të hedhë raketa, dronë e bomba në qytete të ndryshme të Ukrainës. Të paktën katër persona u vranë dhe 27 të tjerë u lënduan të hënën nga një sulm rus me raketa ndaj ndërtesave të banimit dhe “infrastrukturës civile” në qytetin jugor ukrainas, Odesa, tha guvernatori Oleh Kiper.