Stoltenbergu thotë se NATO-ja po e përshtat arsenalin bërthamor ndaj rreziqeve të sigurisë - NACIONALE

Stoltenbergu thotë se NATO-ja po e përshtat arsenalin bërthamor ndaj rreziqeve të sigurisë

2 vjet më parë

nga NACIONALE

Në një referencë të rrallë ndaj arsenalit bërthamor perëndimor, sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, të mërkurën i vuri në pah përpjekjet e aleancës për t’i përshtatur kapacitetet ndaj rreziqeve të tanishme të sigurisë, duke i marrë parasysh retorikën bërthamore dhe ushtrimet ruse rishtazi.

Duke folur me gazetarë para një takimi dyditorë të ministrave të mbrojtës të vendeve të NATO-s në Bruksel, ku do të përfshihet edhe një tubim i grupit planifikues bërthamor të aleancës, ai i quajti armët bërthamore “garanci përfundimtare e sigurisë” e NATO-s dhe mjet për ta ruajtur paqen, raporton agjencia “Reuters”.

Edhe pse dihet që Shtetet e Bashkuara kanë dislokuar bomba bërthamore në disa shtete të Evropës – Belgjikë, Holandë, Gjermani, Italia dhe Turqi - NATO-ja rrallë flet publikisht për këto armë.

Duke folur për atë që ai e quajti “përshtatje e vazhdueshme” e arsenalit bërthamor të NATO-s, Stoltenbergu tha se Holanda në qershor i deklaroi aeroplanët e parë luftarakë të tipit F-35 si të gatshëm për të bartur armë bërthamore dhe tha se ShBA-ja ishte duke i modernizuar armët e saj bërthamore në Evropë.

Ai përshkroi aktivitet në rritje të Rusisë rreth kapaciteteve bërthamore të saj. “Ajo që ne e kemi parë gjatë viteve dhe muajve të fundit është një retorikë e rrezikshme bërthamore nga pala ruse... Ne gjithashtu shohim disa ushtrime, ushtrime bërthamore në anën ruse” – tha Stoltenbergu.

Të martën, Rusia tha se trupat e saj e kishin nisur fazën e dytë të ushtrimeve për ta praktikuar dislokimin e armëve bërthamore taktike krahas trupave bjelloruse, pas atyre që Moska i quajti rreziqe nga fuqitë perëndimore.

Që nga dërgimi i mijëra trupave në Ukrainë më 24 shkurt 2022, presidenti rus, Vladimir Putin, disa herë ka thënë se Moska do të mund të përdorte armë bërthamore për ta mbrojtur veten në situata ekstreme.

Rusia i akuzon Shtetet e Bashkuara dhe aleatët perëndimorë të tyre se po e çojnë botën buzë një ballafaqimi bërthamor duke i dhënë Ukrainës armë me vlerë të miliarda dollarëve, disa prej të cilave po përdoren për ta goditur territorin rus.

Stoltenbergu e përmendi edhe modernizimin e armëve bërthamore të Kinës, duke thënë se pritet që Pekini ta rrisë numrin e raketave bërthamore brenda pak vjetëve dhe se shumë prej tyre do të ishin në gjendje që ta arrinin territorin e NATO-s.

Lajme të ngjashme