Stoltenberg: Ukraina ka të drejtë të sulmojë caqe në Rusi
Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jenst Stoltenberg, tha të premten gjatë një vizite në Suedi se Ukraina ka të drejtë, sipas së drejtës ndërkombëtare, që të sulmojë caqe ushtarake legjitime në Rusi për ta mbrojtur veten.
“Ukraina e ka të drejtën për vetëmbrojtje. E drejta për vetëmbrojtje e përfshin gjithashtu të drejtën për të goditur caqe ushtarake legjitime në territorin e palës sulmuese, agresorit, në këtë rast Rusisë” – tha Stoltenbergu, raporton agjencia “Reuters”.
“Kjo është një luftë sulmi që Rusia e ka nisur kundër një shteti paqësor, demokratik, fqinj, Ukrainës, që në asnjë pikë nuk ka qenë kërcënim për Rusinë” – shtoi ai.
“Nuk ka dyshim se Ukraina e ka të drejtën për të goditur caqe në territorin rus” – tha më tej sekretari i Përgjithshëm i NATO-s.
Kremlini tha këtë javë se shtetet perëndimore që po e furnizojnë Ukrainën me armë për të goditur territor rus do të kenë punë me Rusinë, pasi presidenti rus, Vladimir Putin, tha se po e shqyrtonte armatosjen e armiqve të Perëndimit si masë hakmarrëse.
Ç'tha Putini?
Disa shtete, përfshirë Shtetet e Bashkuara, ia kanë dhënë Ukrainës dritën e gjelbër për të sulmuar caqe brenda territorit të Rusisë.
Putini u tha gazetarëve të huaj para pak ditëve se një veprim i tillë mund të çojë në “probleme shumë serioze”.
“Nëse dikush mendon se është e mundshme që të jepen armë të tilla në një zonë lufte për ta sulmuar territorin tonë dhe për të krijuar probleme për ne, pse ne nuk e kemi të drejtën për t’u ofruar armë të klasës së njëjtë rajoneve të botës ku do të ketë sulme ndaj objekteve të ndjeshme të atyre shteteve. Që do të thotë, kundërpërgjigjja mund të jetë asimetrike. Ne do të mendojmë për këtë” – paralajmëroi presidenti rus.
Ai nuk saktësoi se cilat shtete mund t’i furnizojë me armë Rusia.
Sidoqoftë, e zuri në gojë në veçanti Gjermaninë, shtet që rishtazi i tha Ukrainës se është e lirë për të goditur caqe brenda Rusisë me armë gjermane me rreze të gjatë.
“Kur ata thonë se do të ketë më shumë raketa që do të godasin caqe në territorin rus, kjo përfundimisht i shkatërron marrëdhëniet ruso-gjermane” – tha Putini./Nacionale