Starmer dhe Zelensky pajtohen në Londër për projektin e prodhimit të përbashkët ushtarak
Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, dhe kryeministri i Britanisë së Madhe, Keir Starmer, njoftuan një nismë të re për prodhim të përbashkët në fushën e mbrojtjes gjatë një vizite të shkurtër nga Zelensky në Londër për ta diskutuar mbrojtjen e vendit të tij kundër Rusisë.
Dy udhëheqësit e njoftuan marrëveshjen në kopshtin e rezidencës zyrtare të kryeministrit britanik në “Downing Street”, ku ata gjithashtu u takuan me disa ushtarë ukrainas që po trajnohen në Britani, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.
“Unë jam vërtet krenar që këtë pasdite, ne jemi në gjendje që të njoftojmë një marrëveshje për prodhim të përbashkët ushtarak industrial – e para e llojit të vet deri më tani sa i përket përfshirjes së Ukrainës dhe Britanisë – e cila do të jetë hap masiv përpara tani në kontributin që ne mund të vazhdojmë që ta bëjmë” – tha kryeministri britanik.
Duke folur pranë Starmer-it, Zelensky tha se kjo marrëveshje do të ndihmojë për forcimin e të dyja vendeve, përderisa e falënderoi Britaninë për mbështetjen e saj në luftën kundër Rusisë.
Marrëveshja për ndarjen e teknologjisë rreth fushës së betejës do ta fuqizonte prodhimin e dronëve nga Ukraina dhe do ta lidhte industrinë britanike të mbrojtjes me teknologjinë që është duke u zhvilluar në vijat e frontit në Ukrainë, tha në një deklaratë zyra e Starmerit.
Kjo marrëveshje, me të cilën mbulohen tri vitet e ardhshme, vjen pasi dy vendet në janar u pajtuan për një partneritet 100-vjeçar për thellimin e lidhjeve në fushat e sigurisë dhe kulturës, kur Starmeri e vizitoi Kievin.
Më herët të hënën, Zelensky u takua me Mbretin Charles në Kështjellën “Windsor”, ku të dy i shtrënguan duart para kamerave në atë që ishte takimi i tretë mes tyre këtë vit dhe shenja më e re e monarkut dhe e Britanisë në përkrahje të Ukrainës./Nacionale