Spanja voton sot: Pritet humbja e kryeministrit aktual dhe futja e të djathtës ektreme në qeveri
Spanjollët u janë drejtuar kutive të votimit në zgjedhje të përgjithshme shumë të polarizuara që mund ta shohin të djathtën ekstreme të marrë rol qendror në qeveri për herë të parë prej që shteti iu rikthye demokracisë pas vdekjes së Gjeneral Frankos pesë dekada më parë.
Zgjedhjet - që u thirrën dy muaj më parë nga kryeministri spanjoll Pedro Sanchez pasi partia e tij, e Punëtorëve Socialistë (PSOE) mori rezultate dëshpëruese nga zgjedhjet rajonale e komunale – iu ofrojnë njerëzve një zgjedhje të zymtë mes bllokut të majtë dhe atij të djathtë.
Megjithëse konservatorët opozitarë të partisë së Popullit (PP) pritet të përfundojnë në vendin e parë, sondazhet thonë që nuk do të arrijë të fitojë shumicën absolute dhe do t’i duhet të mbështetet te partia e ekstremit të djathtë Vox për të formuar qeverinë, raporton The Guardian.
Kryeministri Sanchez i ka përshkruar votimet e të dieles si një ballafaqim krucial mes forcave të progresit dhe forcave të konservatorizmit reaksionar.
Sanchez argumenton që vetëm partia e tij dhe ajo e zv. kryeministres Yolanda Diaz mund të mbrojnë dhe të japin një agjendë progresive që është ndjekur gjatë katër viteve të kaluara.
Por partitë e djathta po e akuzojnë Sanchezin dhe partnerët e tij qeveritarë se janë të dobët, oportunistë dhe shumë të varur nga partitë separatiste baske e katalane.
Megjithatë, partia Popullore ka rënë paksa në sondazhe kur Alberto Nunez Feijoo, lideri i saj, u përball me kritika të shumta gjatë kësaj jave.
Lideri i kësaj partie u përball me kritika për marrëdhënien e tij me Marcial Doradon, i cili ishte arrestuar më 2003 dhe më pas edhe burgosur nën akuza për trafikim droge, ryshfet dhe pastrim parash.