Spanja e anulon blerjen milionëshe të municionit nga një kompani izraelite
Ministria e Brendshme e Spanjës të martën tha se do të anulojë një kontratë për të blerë municion nga një kompani izraelite, duke e zgjeruar zotimin spanjoll për të mos i shitur armë Izraelit, duke i përfshirë tashmë edhe blerjet.
Radio “Cadena Ser” më herët raportoi se forca policore “Guardia Civil” ishte pajtuar që të blinte më shumë se 15 milionë fishekë 9-milimetërsh për gjashtë milionë euro nga kompania “Guardian LTD Israel”, raporton agjencia “Reuters”.
Spanja tha se do ta ndërpriste shitjen e armëve në Izrael në tetor të vitit të kaluar, kur nisi lufta e Izraelit me Hamasin në Gaza.
“Qeveria spanjolle qëndron prapa zotimit që të mos i shesë armë shtetit izraelit që nga shpërthimi i konfliktit të armatosur në territorin e Gazës” – thuhet në një deklaratë të autoriteteve spanjolle.
“Edhe pse në këtë rast është përvetësim i municionit, Ministria e Brendshme e ka nisur procedurën administrative për ta anuluar shitjen” – thuhet më tej.
Ministria e Brendshme tha se kompanitë izraelite do të përjashtohen edhe nga cilido tender që është në procedurë.
Kontrata ishte shpallur në shkurt dhe ishte dhënë më 21 tetor. Dy prej tri loteve i ishin dhënë një kompanie izraelite, thuhet në deklaratë.
Spanja ka qenë njëra nga kritikueset më të ashpra brenda Bashkimit Evropian ndaj fushatës ushtarake izraelite në Gaza dhe rishtazi asaj në Liban.