SpaceX e Elon Musk shtyn nisjen në hapësirë të raketës më të madhe ndonjëherë
Një përpjekje për të lëshuar raketën më të fuqishme ndonjëherë në hapësirë është shtyrë për të paktën 48 orë.
Raketa e njohur si Starship, është ndërtuar nga kompania SpaceX e sipërmarrësit amerikan Elon Musk, e ndërsa pritej lëshimi i saj ditën e hënë, u anulua pak minuta para nisjes.
Ndalimi është njoftuar nga vetë Musk në Twitter, i cili ka thënë se “problemi duket se është shkaktuar nga një valvulë presioni që është ngrirë. Nuk ka nisje sot".
A pressurant valve appears to be frozen, so unless it starts operating soon, no launch today
— Elon Musk (@elonmusk) April 17, 2023
Megjithatë është bërë e ditur se SpaceX mund të përpiqet ta nisë raketën sërish më vonë gjatë javës.
Starship është afërsisht 120 m e lartë dhe është projektuar të ketë pothuajse dyfishin e shtytjes së çdo rakete ndonjëherë, e synimi ka qenë që të dërgohet në drejtim të lindjes, për të përfunduar pothuajse një qark të globit.
Megjithatë para shtyrjes së nisjes, Musk kishte apeluar që të gjithë të ulnin pritshmëritë e tyre, pasi nuk ishte e pazakontë që një raketë të përjetojë dështim në nisjen fillestare të saj,
"Është lëshimi i parë i një rakete shumë të komplikuar, gjigante, kështu që mund të mos lëshohet. Ne do të jemi shumë të kujdesshëm dhe nëse shohim ndonjë gjë që na shqetëson, do ta shtyjmë lëshimin," – ka thënë Musk, duke shkruar në Twitter.
E ndërsa mijëra spektatorë ishin mbeldhur në vendet bregdetare në Gjirin e Meksikës ku planifikohej lëshimin që dështoi, BBC shkruan se Elon Musk shpreson të përmirësojë plotësisht biznesin e raketave me Starship. Deri më tani, në parashikimet e Musk përfshihet edhe fluturimi i njerëzve dhe satelitëve që të orbitojnë shumë herë në ditë në të njëjtën mënyrë që një avion mund të kalojë Atlantikun.
Musk beson se Starship mund të sjellë një epokë udhëtimesh ndërplanetare për njerëzit e zakonshëm.
