Sot vendimi i GjND-së për fushatën ushtarake të Izraelit në Gaza: Çfarë duhet të dini? - NACIONALE

Sot vendimi i GjND-së për fushatën ushtarake të Izraelit në Gaza: Çfarë duhet të dini?

2 vjet më parë

nga NACIONALE

Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë pritet të marrë vendim të premten për të lëshuar ose jo masa urgjente që e urdhërojnë Izraelin për t’i ndalur operacionet e tij ushtarake në Gaza.

Seanca e GjND-së, e cila pritet të fillojë në orën 13:00 sipas zonës kohore të Kosovës, është pjesë e rastit të paraqitur nga Afrika e Jugut, e cila e akuzon Izraelin për kryerje të gjenocidit në enklavën palestineze, raporton televizioni BBC.

Përfaqësuesit e të dyja vendeve i paraqitën dëshmitë e tyre para dy javëve. Izraeli i ka mohuar kategorikisht akuzat.

Një vendim i mundshëm kundër Izraelit nuk do të ishte i zbatueshëm nga gjykata e OKB-së, por do të ishte politikisht domethënës.

Më shumë se 25 mijë palestinezë – shumica gra e fëmijë – janë vrarë e dhjetëra mijëra të tjerë janë plagosur, sipas Ministrisë së Shëndetësisë në Gaza, që menaxhohet nga Hamasi, që nga fillimi i ofensivës ushtarake izraelite, të nxitur nga një sulm i pashembullt nga Hamasi në jug të Izraelit në tetor të vitit të kaluar, kur u vranë 1.200 njerëz, sipas autoriteteve izraelite.

Afrika e Jugut, e cila i mbështet fuqishëm palestinezët, ka kërkuar nga GjND-ja që të lëshojë nëntë masa të përkohshme, përfshirë atë për ndërprerjen e aktiviteteve ushtarake nga Izraeli, gjatë kohës së shqyrtimit të akuzës për gjenocid. Vendimi për këtë të fundit nuk pritet të merret për një kohë të gjatë, ndoshta me vite.

Izraeli e ka refuzuar me zemërim akuzën për gjenocid, duke e akuzuar Afrikën e Jugut për shtrembërim të së vërtetës. Përfaqësuesit izraelitë kanë thënë se vendi i tyre e ka të drejtën për ta mbrojtur veten dhe se është duke i vënë në shënjestër luftëtarët e Hamasit, jo civilët palestinezë.

Izraeli ka kërkuar nga gjykatësit që ta hedhin poshtë kërkesën e Afrikës së Jugut, për të cilën ka thënë se është e mbështetur në akuza “shumë të shtrembëruara” dhe të pabaza për një gjenocid që nuk ekziston.

Gjatë publikimit të vendimit të premten, 17 gjykatësit – 15 gjykatës të përhershëm, një nga Afrika e Jugut e një nga Izraeli – duhet t’u përgjigjen dy pyetjeve:

E para, nëse Afrika e Jugut e ka kaluar testin themelor për të dëshmuar se pretendimi i saj kundër Izraelit mund të shqyrtohet sipas Konventës kundër Gjenocidit të OKB-së të vitit 1948. Në këtë konventë, të cilën e kanë nënshkruar edhe Afrika e Jugut, edhe Izraeli, përcaktohet se çfarë është gjenocidi. Në këtë fazë preliminare të rastit, pragu është relativisht i ulët.

E dyta, nëse ka rrezik bindës për dëm të pariparueshëm ndaj popullit palestinez në Gaza, nëse veprimet ushtarake izraelite vazhdojnë.

Për më tepër, gjykatësit nuk janë të kufizuar për t’i shqyrtuar vetëm kërkesat e Afrikës së Jugut. Paneli thjesht mund ta udhëzojë Izraelin që të sigurohet që veprimet e tij të jenë në pajtim me të drejtën ndërkombëtare dhe të sigurohet që nuk do të bëjë asgjë për ta penguar shpërndarjen e ushqimit, ujit ose ilaçeve.

Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë ka fuqi vetëm që të lëshojë opinione këshillëdhënëse. Edhe pse vendimet e saj, në teori, janë të detyrueshme, ato nuk janë të zbatueshme nga gjykata. Nëse vendimi i së premtes është kundër Izraelit, është pothuajse e sigurt se do të shpërfillet.

Megjithatë, një vendim i tillë do t’ia shtonte presionin politik Izraelit për të punuar drejt arritjes së një armëpushimi dhe do ta rriste trysninë ndaj aleatëve më të fuqishëm ndërkombëtarë të këtij shteti për ta bërë atë që munden prapa perdes për të gjetur një zgjidhje dhe për të garantuar që ndihmat humanitare të arrijnë atje ku janë të nevojshme.

Përktheu: Nacionale/Nasuf Abdyli

Lajme të ngjashme