Sot bisedimet Ukrainë – Rusi në Stamboll, Putini s’merr pjesë
Të enjten në Stamboll të Turqisë pritet të fillojnë bisedimet e para të drejtpërdrejta mes Ukrainës dhe Rusisë që nga fillimi i pushtimit rus më 2022.
Presidenti rus, Vladimir Putin, i propozoi këto bisedime disa orë pasi Ukraina dhe shtetet evropiane i bënë thirrje Moskës që të pajtohej për një armëpushim të pakushtëzuar 30-ditor duke nisur nga e hëna. Pas fjalimit të Putinit, homologu ukrainas, Volodymyr Zelensky, tha se ishte i gatshëm të takohej me Putinin në Turqi, raporton gazeta “The Guardian”.
Megjithatë, Kremlini të mërkurën vonë tha se presidenti rus nuk do të marrë pjesë në këto bisedime dhe se delegacioni i Rusisë do të drejtohet nga ish-ministri i Kulturës, Vladimir Medinsky, i cili kishte marrë pjesë në bisedimet e dështuara të vitit 2022 në Stamboll. Kremlini për disa ditë nuk kishte treguar se kush do të shkonte në qytetin më të madh të Turqisë.
Presidenti i Brazilit, Luiz Inacio Lula da Silva, i cili e ka kritikuar përkrahjen perëndimore për Ukrainën, i kishte bërë thirrje Putinit që të merrte pjesë në bisedime.
Presidenti amerikan, Donald Trump, kishte thënë se “beson që të dy liderët do të jenë aty” dhe e kishte përmendur idenë që edhe ai mund të bëhej pjesë e bisedimeve.
Rusia këmbëngul që në bisedime të adresohen ato që i quan “shkaqe rrënjësore” të konfliktit, përfshirë “denazifikimin” dhe demilitarizimin e Ukrainës, dy terme të mjegullta që Moska i ka shfrytëzuar për ta justifikuar pushtimin. Rusia gjithashtu ka thënë se Ukraina duhet ta dorëzojë territorin e pushtuar nga trupat ruse.
Në anën tjetër, Ukraina thotë se nuk do t’i njohë si ruse territoret e saj të pushtuara, edhe pse Zelensky ka pranuar se vendi i tij mund t’i rikthejë ato ndoshta vetëm përmes mjeteve diplomatike.
Dy palët ndërluftuese nuk po arrijnë që të pajtohen as për armëpushim. Ukraina muajin e kaluar u pajtua me një propozim të Shteteve të Bashkuara për armëpushim të pakushtëzuar, për të cilin Zelensky tha se ishte parakusht për bisedime. Sidoqoftë, Putini, ushtarët e të cilit e kanë momentumin në disa pjesë të vijës së frontit, e kundërshtoi propozimin./Nacionale