Sonte debati i parë – dhe ndoshta i fundit - Trump – Harris - NACIONALE

Sonte debati i parë – dhe ndoshta i fundit - Trump – Harris

1 muaj më parë

nga NACIONALE

Kandidati republikan dhe ish-presidenti Donald Trump dhe kandidatja demokrate Kamala Harris ballafaqohen të martën në mbrëmje në debatin e tyre të parë – dhe ndoshta të fundit. Ky debat mund të jetë jetik për betejën e tyre drejt Shtëpisë së Bardhë.

Debati i organizuar nga televizioni “ABC News” do të fillojë në orën 21:00 sipas zonës kohore lindore të ShBA-së (në orën 3 të mëngjesit të mërkurën sipas zonës kohore të Kosovës). Të dy kandidatët janë pjesë e një gare të ngushtë që mund të marrje kah në cilindo prej dy drejtimeve. Votimi i hershëm në disa shtete amerikane do të nisë vetëm disa ditë pas debatit, raporton agjencia “Reuters”.

Debati është posaçërisht i rëndësishëm për zonjën Harris, pasi anketat tregojnë që më shumë se çereku i votuesve të mundshëm ende nuk dinë mjaftueshëm për të, për dallim nga Trumpi i famshëm.

Ballafaqimi që do të transmetohet në frekuenca kombëtare i ofron ish-prokurores Harris gjithashtu një mundësi për ta ndërtuar pozicionin e saj përballë Trumpit, që ka terren të brishtë për shkak të dënimeve nga gjykatat, përkrahjes së mbështetësve të dënuar të sulmit të 6 janarit të vitit 2021 ndaj Capitol-it dhe të pavërtetave të shpeshta.

Kjo do të jetë hera e parë që Trumpi dhe Harrisi do të takohen me njëri-tjetrin dhe debate vjen pas disa javëve me sulme personale ndaj Harrisit nga Trumpi dhe aleatët e tij, ku janë përfshirë fyerje raciste e seksiste.

Këshilltarët dhe republikanët e kanë nxitur ish-presidentin që të martën të përqendrohet te migrimi i paligjshëm dhe çmimet e larta, tema që i prekin votuesit, dhe te portretizimi i Harrisit si tepër liberale për ShBA-në.

“Nuk ka nivel të fundit për të në kuptimin se sa poshtë do të shkojë dhe ne duhet të jemi të përgatitur për këtë” – tha zonja Harris në një intervistë në radio, që u transmetua të hënën.

Debatet presidenciale nuk bëjnë gjithmonë ndryshime të mëdha, por ato mund ta transformojnë dinamikën e garës. Performanca e dobët e presidentit në largim, Joe Biden, në debatin me Trumpi në qershor e solli në fund tërheqjen e tij nga gara./Nacionale

Lajme të ngjashme